Prokuroria mban takim koordinues për zgjedhjet e 6 tetorit       

Prokuroria e Shtetit sot ka mbajtur me institucionet të cilat janë nënshkruese të memorandumit të bashkëpunimit për procesin zgjedhor (KQZ, PZAP, PSh, PK dhe KGjK).

Në komunikatën e lëshuar nga zyra për media e Prokurorisë thuhet që ky takim është mbajtur për të diskutuar përgatitjet për procesin zgjedhor të 6 tetorit.

“Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me përgatitjet e institucioneve, bashkëpunimi dhe bashkërenditja e aktiviteteve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, vetëdijesimi për parandalimin e manipulimeve të mundshme, si dhe roli i shoqërisë civile në këtë proces zgjedhor”, thuhet në komunikatë.

Poashtu bëhet e ditur se gjatë këtij takimi, pjesëmarrësve i është bërë e  ditur se tanimë janë caktuar për secilën prokurori koordinatorët rajonalë.

“Institucioni i Prokurorit të Shtetit, tashmë ka caktuar për secilën prokurori koordinatorët rajonal, dhe do të angazhoj një numër të konsiderueshëm të prokurorëve, ku do të monitorojnë gjithë procesin zgjedhor, si dhe ka potencuar se në rastet ku paraqiten problemet eventuale, do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në bazë të kompetencave dhe Ligjit”, thuhet tutje aty.

Ndërkaq, përfaqësues të institucioneve tjera, kanë prezantuar planet e tyre lidhur me angazhimet e tyre, si dhe kanë deklaruar se të gjithë janë duke u marr me aktivitete të ndryshme, në bazë të kompetencave që ka secili institucion përkatës.

Në këtë takim, është diskutuar edhe për nevojën e vetëdijesimit për të parandaluar manipulimet.

“Nga të pranishmit është theksuar se vetëdijesimi i qytetarëve për parandalimin e manipulimeve të mundshme  të zgjedhjeve është mëse i rëndësishëm, pasi që në rastet ku mund të ketë pretendime për keqpërdorime të votave, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit do të veprojnë menjëherë”, thuhet në komunikatë.