Prokuroria kundërshton Presidentin Thaçi si dëshmitar në rastin “Veteranët”

Valdet Gashi, Prokuror Special, e kundërshtoi sot propozimin që Presidenti Hashim Thaçi të ftohet si dëshmitar në rastin e fryrjes së listave të veteranëve të luftës.

Sot, njëri nga avokatët mbrojtës në rastin e njohur si “Veteranët” kishte propozuar që si dëshmitar të ftohet edhe ish-Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të UÇK-së, Hashim Thaçi. Avokatët mbrojtës sot propozuan që si dëshmitarë të ftohen edhe zinxhiri komandues i brigadës 138 dhe ish-ministrat e mbrojtjes.

Megjithatë prokurori kundërshtoi këto propozime, pasi sipas tij e zvarrisin procesin.

“ Kemi ardhur në përfundim se këta dëshmitarë nuk janë relevantë për çështjen që është objekt i gjykimit në këtë proces, pasi ashtu siç është paraqitur në diapozitivin e aktakuzës, objekt i shqyrtimit është puna e Komisionit Shtetëror. Të gjithë dëshmitarët janë dëshmitarë që sipas arsyetimit të propozimit do të tregojnë për diçka që nuk është objekt shqyrtimi në këtë gjykim. Duke vlerësuar se janë jo relevantë për çështjen, ne mendojmë se një dëgjim i tyre vetëm do të zvarriste këtë proces gjyqësor”, ka thënë prokurori Gashi.”

Ndërkaq lidhur me audio incizimin për të cilin mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar që të shpallet si i papranueshëm, prokurori Gashi u  deklarua se ajo provë nuk është e kundërligjshme dhe se ështe nxjerrë në bazë të ligjit respektivisht duke u bazuar  në një urdhër kontroll të lëshuar nga gjykata respektivisht gjyqtari paraprak.

Në shtator 2018, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti aktakuzë kundër 12 personave për lëndën e njohur në opinion si “Veteranët”, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Prokuroria pretendon se nga provat e siguruara është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej  88.769.217.04 euro.