Foto: Kallxo.com

Prokuroria kërkon rrënimin e hotelit pa leje në Rugovë, Gjykata e mban gjykimin “nën dry”

Prokuroria e Pejës ka kërkuar rrënimin e objektit hotelier në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” .

Ky objekt i kategorisë së lartë, i ndërtuar në parkun kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ku janë investuar shuma të mëdha parash, pas përfundimit të ndërtimit rezulton të jetë pa leje ndërtimi.

Prokurorja e rastit Suada Hamza në seancën gjyqësore të mbajtur dje, ka propozuar rrënimin e tij.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Me rastin e leximit të aktakuzës në shqyrtim gjyqësor, prokurorja e çështjes ka propozuar rrënimin e objektit pa leje dhe shpenzimet e rrënimit t’i barten palës së pandehur”, tha Nikçi.

KALLXO.com ka kërkuar informacione lidhur me këtë proces gjyqësor nga Gjykata e Pejës, por gjyqtari i çështjes nuk ka ofruar shikimin e procesverbalit të seancës gjyqësore.

Ndërsa në seancën e mbajtur më 8 qershor nuk është lejuar monitorimi.

Prokuroria e Pejës po akuzon Mahir Shalën, nga kompania ndërtuese ‘INTERN INVESTMENT GROUP’, me seli në Pejë, për ndërtim të objektit pa leje.

Shala në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve figuron aksionar në  ‘INTERN INVESTMENT GROUP’ me 33.33% të aksioneve.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.