Prokuroria kërkon që zyrtarit për mbrojtjen e viktimave t'i ndalohet ushtrimi i profesionit

Gjykata e Prishtinës i ka shqiptuar dënim me burgim prej 6 muaj zyrtarit për mbrojtjen e viktimave në Prishtinë, Arlind Popaj.

Kurse me pëlqimin e të njëjtit, dënimi i shqiptuar me burgim i është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë e 500 euro.

Për KALLXO.com prokurori i rastit Zejnullah Gashi, ka thënë se ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me kërkesën për shqiptimin e dënimit plotësues të ndalimit të ushtrimit të profesionit ndaj të akuzuarit në fjalë.

“Shumë i pa kënaqur me lartësinë e dënimit nga Gjykata  e shkallës së parë si dhe në ankesë  kam kërkuar që të shqiptohet edhe dënimi plotësuesi ndalimi i ushtrimit të profesionit”, tha prokurori Gashi.

Prokuroria e  Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Popajt, të cilin e akuzon për veprën penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës thuhet se Arlind Popaj në vitin 2018 në lokalin “Edona”, në Vushtrri, në cilësinë e personit zyrtar – përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare, duke mos ndërmarr veprimet zyrtare që ka qenë i detyruar të ndërmerr, krejt kjo me qëllim që të përfitonte dobi pasurore për vete.

Tutje aktakuza thotë se i akuzuari në cilësinë e përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës, kërkoi nga vëllai i të dëmtuarës F.P., e cila ishte viktimë e dhunës në familje, shumën prej 3 mijë euro në formën e borxhit edhe pse i njëjti asnjëherë më parë nuk ishte njohur me të dëmtuarën apo familjarët e saj.

Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara dhe vëllai i saj nuk i kanë pas shumën prej 3.000 mijë euro, mirëpo e dëmtuara paratë e kursyera të djalit të saj në shumën prej 1 mijë e 400 euro, ja kishte dhënë përmes vëllait të saj, të akuzuarit, për arsye të blerjes së një veture nga ana e të akuzuarit.

Tutje në aktakuzë përmendet edhe një shumë prej 90 euro të cilën i akuzuari e kishte kërkuar po ashtu nga vëllai i të dëmtuarës për trajtimin shëndetësor të djalit të akuzuarit për shërimin jashtë vendit si dhe përfitime të tjera si, mbushjen e veturës me karburant, darka dhe dreka të cilët kanë qenë të detyruar ti shërbejnë të akuzuarit duke e shfrytëzuar pozitën e vështirë të të dëmtuarës e cila ka qenë subjekt i dhunës fizike dhe psikike nga ana e burrit të saj.