Foto: KALLXO.com

Prokuroria kërkon që dy gjeodetëve të akuzuar t’u ndalohet ushtrimi i profesionit dhe t’u merret licenca

Një ndarje e parcelës, e cila sipas Prokurorisë ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe pa aprovimin e njërit prej bashkëpronarëve Gjevlekaj, ka vënë përpara drejtësisë inxhinierin e gjeodezisë Bajram Selmani dhe gjeodeten e Komunës së Prizrenit, Luljeta Rizanaj.

Për këtë çështje, Prokuroria në fjalën përfundimtare ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Pos dënimit, përfaqësuesi i Prokurorisë, Mehdi Sefa, kërkoi që Gjykata të shqiptojë edhe ndalimin e ushtrimit të profesionit dhe marrjen e licencës për tre vite të akuzuarve.

Për Prokurorinë, i akuzuari Bajram Selmani kishte bërë parcelizimin apo ndarjen e tokës me numër 488 dhe 518, pavarësisht faktit se njëri prej bashkëpronarëve, Gjek Gjevlekaj, nuk e kishte dhënë lejen, nënshkrimin e as dokumentin e identifikimit për ndarjen e pronës së përbashkët.

“Ndarja e parcelës në 1/4 është bërë po ashtu në mënyrë jo të barabartë, e në këtë rast i janë shkelur të drejtat bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj nga këtu i akuzuari”, shtoi prokurori.

Kurse, për gjeodeten Luljeta Rizanaj, prokurori theksoi se ajo pos që  nuk e kishte  kontrolluar dokumentacionin mbi ndarjen e ngastrës kadastrale, në mënyrë jo të barabartë e kishte regjistruar këtë në librat MAP.

“E akuzuara Luljeta Rizanaj, pavarësisht lëshimeve  dhe shkeljeve procedurale, ajo nuk ka bërë asnjë përpjekje që vendimi i tillë të anulohet”, deklaroi Sefa.

Ndërkaq, përfaqësuesi i palës së dëmtuar Pjetër Përgjoka e mbështeti fjalën e prokurorit dhe kërkoi që dy të akuzuarit të shpallen fajtorë, kurse sa i përket kërkesës pronësore do ta parashtrojë në kontestin civil.

Të kundërtën e Prokurorisë e pretenduan dy të akuzuarit.

E akuzuara Rizanaj fjalën përfundimtare trupit gjykues ia dorëzoi në formë të shkruar ndërsa nga Gjykata kërkoi që pas vlerësimit të provave t’i shqiptohet aktgjykim lirues.

Hazër Susuri, mbrojtës i të akuzuarit Bajram Selmani, gjatë fjalës përfundimtare tha se nuk ka prova me anë të të cilave do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 15 nëntor.

Sipas Prokurorisë, Bajram Selmani, gjeodet, po akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Selmani e ka bërë në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.

Për të akuzuarën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.

Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin me 12 shkurt 2018.

Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit.