107 kg marihuanë e sekuestruar në terminalin doganor, Foto: Policia e Kosovës

Prokuroria kërkon paraburgimin e shtetasit të Serbisë i kapur me 107 kg drogë në rezervuarin e naftës

Prokuroria e Prishtinës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit të Serbisë, 32 vjeçarit të dyshuar M. P., i cili u kap me 107 kg drogë.

Ai ishte kapur nga Policia dhe Dogana më sasinë e drogës në kamionin të cilin e voziste. Droga u zbulua në bunker të modifikuar brenda rezervuarit të karburanteve.

Lajmin për kërkesën për caktimin e masës së sigurisë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Prokurorisë Laureta Ulaj.

Është bërë kërkesa për caktimin e masës së sigurisë për 30 ditë paraburgim nga Prokuroria e Prishtinës”, ka thënë Ulaj për KALLXO.com

KALLXO raportoi dje se i dyshuari nga pika kufitare në Merdarë, aty ku kishte hyrë në Kosovë kishte vazhduar drejtë qytetit të Istogut e Pejës, për të vazhduar me pas në drejtim të Mitrovicës ku ishte ndalur nga doganierët në qytetin e Vushtrrisë, kjo është rruga që ka ndjekur kamioni në të cilën u gjetën 107.5 kilogramë drogë.

Dogana e Kosovës, mbrëmë ka arritur ta ndaloj një kamion nga Serbia i cili në një rezervar të modifikuar kishte të fshehur 107.5 kilogramë substance narkotike.

Kamioni figuron se kishte pas lëvizje të shpeshta nga Serbia në Kosovë por vetëm një herë kishte qenë i ngarkuar me paleta, të gjitha herat tjera ka hyrë dhe ka dal po ashtu nga Kosova për në Serbi i zbrazët.

Kjo ka qenë edhe arsyeja pse i njëjti kishte ra në llupën e doganierëve të Kosovës të cilët kishin vendosur ta ndalojnë dhe ta kthejnë në terminal për kontroll të detajuar, e cila rezultoi me kapjen e mbi 100 kg drogë.

Kallxo.com merr vesh se shtetasi serb ditën e djeshme kishte hyrë në Kosovë në pikën kufitare në Merdarë, për të vazhduar drejtë qytetit të Istogut e Pejës, ndërsa ishte ndaluar nga doganierët e Kosovës në qytetin e Vushtrrisë deri sa ishte duke lëvizur në drejtim të Mitrovicës.

Kamioni i ndaluar është pronë e një shtetasi serb nga Rashka, ndërsa shoferi i cili ishte duke vozitur atë është nga qyteti i Leskovcit në Serbi.

KALLXO.com merr vesh se më pas doganierët e Kosovës kanë thirrur Policinë e cila edhe e ka sekuestruar substancën narkotike.

Siç raportoi KALLXO.com, një shtetas serb 32 vjeçar me inicialet M. P., është arrestuar mbrëmë nga policia pasi në kamionin me targa të huaja të cilën po e voziste u gjetën dhe u sekuestruan 107 kilogramë lëndë narkotike të llojit marihuanë.

Kjo është video ku është fshehur droga në rezervarin e improvizuar i cili edhe pas hapjes kishte pasur një sasi derivatesh por hapësira e tij ishte zvogëluar për t`u fshehur droga.