Prokuroria kërkon paraburgimin e gardianit që dyshohet se futi kokainën në burgun e Gjilanit

Gardiani me inicialet K.R., po dyshohet se ka kryer dy vepra penale, atë të keqpërdorimit të detyrës zyrtare si dhe shpërndarjen e posedimin e lëndëve narkotike.

KALLXO.com mbrëmë raportoi se gardiani dyshohet se kishte futur brenda burgut të Gjilanit drogë të llojit kokainë dhe i kishte ofruar atë një të burgosuri.

Menjëherë pasi ishin identifikuar disa prej veprimeve të dyshimta të gardianit, kishin reaguar edhe zyrtarët tjerë korrektues.

Stafi kishin intervistuar të burgosurin i cili kishte pranuar se kishte marrë nga gardiani kokainën ndërsa menjëherë droga ishte sekuestruar si provë për ngjarjen.

Për këto veprime ishte njoftuar edhe Shërbimi Korrektues të cilët mbrëmë kishin suspenduar zyrtarin nga puna ndërsa policia e kishte arrestuar të njëjtin.

Për gjithë ngjarjen ishte njoftuar edhe prokurori kujdestar ndërsa me vendim të këtij të fundit, gardiani ishte dërguar fillimisht në mbajtje për 48 orë.

 

Gardiani dyshohet se futi kokainë brenda burgut të Gjilanit, suspendohet nga SHKK