Prokuroria kërkon paraburgimin e dy aktivistëve të PSD-së

Dy aktivistë të Partisë Socialdemokrate(PSD), pritet që sot të dalin para Gjykatës lidhur me kërkesën e Prokurorisë së Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

N. N. dhe G. Sh., ishin arrestuar me datë 14 shkurt 2022 gjatë protestës së PSD-së në objektet e ZRrE-së.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Prokurori i shtetit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj N. N. dhe G. Sh., në drejtim të veprës penale, sulmi ndaj personit zyrtar që ndërlidhet me rastin e datës 29 janar 2022. Kërkesa është paraqitur vetëm për këta dy, ndaj të tjerëve nuk është paraqitur kërkesë”, ka deklaruar për KALLXO.com, Laureta Ulaj.

Më 14 shkurt 2022, në objektin e ZRrE-së, Policia arrestoi 13 persona për pengim të personave zyrtarë në kryerje të detyrës.

Sipas njoftimit të Policisë, arrestimi erdhi pasi që vazhdimisht u ishte bërë thirrje protestuesve të Partisë Socialdemokrate(PSD) që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, mirëpo që të njëjtit nuk ishin bindur.

“Duke parë që kanë dështuar të gjitha përpjekjet tjera, në përputhje me autorizimet policore dhe urdhrin e prokurorit të shtetit, janë arrestuar 13 nga ta dhe aktualisht po vijon ndërmarrja e veprimeve në këtë fazë preliminare hetimore”, kishte njoftuar Policia.

Më 8 shkurt 2022, Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Në kundërshtim të këtij vendimi, Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe aktivistë të tjerë të këtij subjekti kishin vendosur që pakënaqësitë e tyre kundrejt vendosjes së tarifave të reja, t’i shprehin duke protestuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë.

VIDEO – Arrestohet Dardan Molliqaj