Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarve për ryshfet në subvencione

Rreth 433 mijë e 160 euro janë konfiskuar, 600 dollar, 200 franga, 275 lira turke, 15 telefona, 8 vetura, një kompjuter, pesë armë, një USB dhe një vulë janë konfiskuar gjatë bastisjeve që kanë ndodhur ditën e djeshme nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Prokuroria e Prishtinës ka kërkuar masën e paraburgimit për 11 personat e arrestuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti.

Dhjetë nga të arrestuarit gjatë ditës së djeshme janë edhe zyrtarë institucional të cilët u arrestuan në disa lokacione të ndryshme.

Prokuroria ka njoftuar se nga 12 të arrestuarit sa kanë qenë dje, njëri nga ta vetëm është shoqëruar në polici e më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Prokuroria ka njoftuar se për cilat vepra saktë po dyshohen të arrestuarit.

Personat me inicialet S. Sh., L. S., H. M., B. N., K. Z. dhe A. U., dyshohet se kanë kryer veprat penale “Marrja e ryshfetit”, dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, personat me inicialet D. A., P. K., Sh. K., K. B- S., dyshohen se kanë kryer veprat penale “Dhënie e ryshfetit”, dhe “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, si dhe për personin me inicialet S. S., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Gjatë ditës së djeshme KALLXO.com ka raportuar për një mori bastisjesh të cilat janë realizuar në disa qytete të Kosovës ku cak ishin institucione të caktuara që lidhen me keqpërdorimin e disa subvencioneve brenda Ministrisë së Bujqësisë.

Dy çanta me para janë gjetur te shtëpitë e dy nga të arrestuarit. Njëra çantë është gjetur brenda tualetit të një banese ndërsa një çantë tjetër është gjetur në oborr e cila dyshohet se u hodh nga familjarët e të dyshuarit.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi gjatë ditës së djeshme ka njoftuar se aksionet e ditës së djeshme erdhën pas disa hetimeve ku u zhvilluan edhe masat e fshehta të cilat zbardhën rrjetin i cili keqpërdorte subvencione.