Prokuroria kërkon paraburgim për profesorin e dyshuar për pedofili

Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për profesorin F. K., i cili dyshohet për pedofili në Prizren.

F. K. dje është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është në ndalim prej 48 orësh.

Sipas kërkesës së prokurorisë, i pandehuri F. K., dyshohet se ka kryer veprën penale “Ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet” nga neni 231 paragrafi 1, të Kodit Penal të  Republikës së Kosovës (KPRK).

Prokuroria në Prizren pati filluar hetimet për rastin e profesorit që ishte bërë pjesë e hulumtimit të një emisioni në televizionin ‘ABC News’ nga Shqipëria nën dyshimin për pedofilizëm.

Fillimisht gjithmonë sipas emisionit, gazetarët kishin hapur një profil të rremë në rrjetin social Facebook, me të dhëna të rreme të një vajze kinse është 15 vjeçare dhe nga aty kishin rënë në kontakt me profesorin nga Prizreni.

Profesori F. K., sipas pamjeve të publikuara në emisionin e ‘ABC News’ i kishte kërkuar vajzës takim dhe favore seksuale ndërsa përmes mesazheve zbulohet edhe biseda që është bërë për disa kohë përmes rrjeteve sociale.

Me anë të fotografive të ndryshme, profesori dyshohet se kishte kërkuar favor seksual të miturës duke përdorur fjalë të ndryshme.

Arrestohet profesori i dyshuar për pedofili në Prizren