Prokuroria kërkon paraburgim për edukatoren që dyshohet se e keqtrajtoi fëmijën në çerdhe

Prokuroria e Prishtinës e ka konfirmuar për KALLXO.com se kanë kërkuar masën e paraburgimit ndaj edukatores që po dyshohet se keqtrajtoi një fëmijë të vogël në çerdhen “Cambride Kids”.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtines, Laureta Ulaj tha për KALLXO.com se Prokuroria ka kërkuar që ndaj mësuesës të shqiptohet masa e paraburgimit dhe se Gjykata ende nuk ka vendosur lidhur me këtë kërkesë.

Këtë të martë Policia arrestoi një punonjëse të çerdhes private “Cambridge Kids” pasi që e njëjta shihej në një video- incizim duke rrahur një fëmijë 16 muajsh.

Policia po heton pamjet që shfaqin dhunë ndaj fëmijës në një çerdhe private

Nëna e fëmijës për KALLXO.com kishte shpjeguar se si kishin dyshuar se ndaj fëmijës së saj po ushtrohej dhunë fizike.

VIDEO: Rrëfimi i nënës që iu rrah fëmija në çerdhe

Çerdhja private me anë të një reagimi ka kërkuar falje ndërsa kishte shtuar se kishin larguar nga puna punonjësen që shihej në pamjet e publikuara nga nëna e fëmijës në rrjetin social “Facebook”.

Policia e Kosovës mbrëmë ka arrestuar edhe një të dyshuar lidhur me rastin e keqtrajtimit të një fëmijë në një çerdhe private në Prishtinë.

Zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se e dyshuara e dytë është arrestuar për moslajmërim të keqtrajtimit.

“Njësitet policore të stacionit Jugu në Prishtinë, sot kanë arrestuar një person tjetër lidhur me rastin e keqtrajtimit të fëmijës së raportuar me datën 10  shkurt 2020. E dyshuara është arrestuar për mosraportim të rastit. Pas intervistimit e dyshuara Sh.A. me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje”, ka thënë Ahmeti për KALLXO.com

KALLXO.com ka raportuar se çerdhja private “Cambridge Kids” nuk kishte pasur licencë, e në anën tjetër e njëjta çerdhe është mbyllur nga ana e inspektoratit.

Inspektorati mbyll çerdhen “Cambridge Kids”