Prokuroria, kërkon paraburgim për dy zyrtarët komunal të Pejës

Prokuroria e Pejës, ka kërkuar paraburgim ndaj dy të dyshuarve, drejtorit të Kadastrës në Pejë Mustafë Nila dhe zyrtarit të kësaj drejtorie Arxhend Lleshi, nën dyshimin se u kanë mundësuar disa personave regjistrimin e pronës në mënyrë të kundërligjshme me qëllim që të pajisen më shpejtë me leje ndërtimore.

Nila e Lleshi po hetohen për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar. Prokuroria dyshon se ata kanë mundësuar regjistrimin e një pronë në kundërshtim me legjislacionin që rregullon këtë procedurë e tërë kjo me qëllim të marrjes sa më të shpejtë të lejes ndërtimore nga personat G.SH dhe H.K.

Dosja e prokurorisë thotë se dy të pandehurit Nila e Lleshi nuk kanë vepruar në pajtim me vendimin e Komunës që përcakton detyrimin e organeve të komunës për të dërguar për vlerësim të pronës për këmbim pranë organit kompetent.

Sipas Prokurorisë duke mos qenë ky vlerësim në shkresat e lëndës, e si një parregullsi e dukshme, e obligim i tyre për të mënjanuar këtë parregullsi, të dyshuarit lejojnë regjistrimin duke mos kërkuar plotësimin e shkresave me atë të vlerësimit të pronës dhe pagesave për obligimin.

Me këto veprime Mustafë Nila e Arxhend Lleshi po dyshohen se kanë mundësuar regjistrimin e pronës në atë drejtori personave G.SH dhe H.K, pa u përmbushur obligimet reciproke dhe pa u përcaktuar vlera reale e pronës se këmbyer e që këto vlerësime sipas prokurorisë janë bërë pasi që është bërë regjistrimi.

Dosja e Prokurorisë thotë se të gjitha këto procedura janë kryer pa u bërë pagesa e vlerës së përcaktuar se pronës së këmbyer, e cila pagesë ka qenë mbi 25 mijë euro.

Sipas hetimeve të Prokurorisë kjo është bërë me qëllim që G.SH dhe H.K të marrin sa me shpejtë lejen ndërtimore.

Mbrojtësit e të pandehurve Mustafë Nila e Arianit Lleshi, sot në seancën dëgjimore e vlerësuan si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas mbrojtësve, klientët e tyre nuk kanë kryer asnjë vepër penale, dhe se asnjë prej kushteve që është thirrur Prokuroria nuk qëndron.

Kjo ndër tjera, pasi sipas tyre, të gjitha shkresat për këtë dosje janë siguruar nga Prokuroria, andaj nuk ekziston mundësia për fshehjen apo falsifikimin e tyre.

Ata po ashtu e kundërshtuan faktin se më lënien në liri të klientëve të tyre ekziston mundësia që ata të ndikojnë në dëshmitar, pasi sipas mbrojtjes, Prokuroria nuk ka evidentuar cilët dëshmitar kanë për t’u proceduar për këtë çështje.

Vendimi për kërkesën e Prokurorisë lidhur me masën e paraburgimit do të merret brenda 48 orëve nga momenti që të pandehurit janë sjellë para gjykatës.

Një aksion i prokurorisë në Pejë ka dërguar në arrestim e 7 zyrtarëve të komunës, përfshirë këtu edhe drejtorin e kadastrës në Pejë, Mustafë Nila, dhe zyrtarin e kësaj drejtorie, Arxhend Lleshin.