Prokuroria kërkon paraburgim për 6 të arrestuarit në rastin e 11-vjeçares

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar masën e paraburgimit për gjashtë të arrestuarit të cilët dyshohen se trafikuan dhe dhunuan 11- vjeçaren në qershor të këtij viti.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj konfirmoi për KALLXO.com se Prokuroria ka kërkuar edhe masën e sigurisë, më saktësisht atë të paraburgimit për të dyshuarit.

Dosja e 11- vjeçares e cila dyshohet se u dhunua nga pesë persona javën e kaluar po vazhdon të ketë detaje të reja.

Fillimisht KALLXO.com konfirmoi se ajo ishte viktime e trafikimit muaj më parë.

Këtë e kishte konfirmuar për KALLXO.com Demë Hasanaj, Drejtues i Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave.

Tutje deri më tani 6 drejtues të institucioneve dhe departamenteve të ndryshme në Polici kanë ndryshuar pozitat e tyre nën arsyetimin e rastit të 11 vjeçares.

Dorëheqje ka dhënë edhe ish-drejtori i burgjeve, Ali Gashi.

Prokuroria Themelore në Prishtinë gjatë ditës së sotme ka njoftuar se në vazhdën e hetimeve, pas sigurimit të ekzaminimeve dhe analizimit të provave, si dhe, intervistimit të dëshmitarëve, mbrëmë ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar, të cilët me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe për të njëjtit do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore.

Gjashtë personat e arrestuar të moshës madhore, dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, gjegjësisht si të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi me njerëz”, ”Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Dhunimi’”, si dhe, në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur.

Arrestohen 6 persona, dyshohen për trafikim të 11-vjeçares në qershor

www.kallxo.com