Ilustrim

Prokuroria kërkon paraburgim ndaj tre personave për falsifikim të parasë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim për tre të pandehurit L.Q, H.L dhe H.Sh nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Falsifikim i parasë”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë me 20 tetor 2021, në një këmbimore në Malishevë, tre të pandehurit duke qenë në dijeni se paratë janë të falsifikuara, të njëjtat i vënë në qarkullim në shumën totale prej 1,900 dollarë.

Rastin në Polici e kishte lajmëruar i dëmtuar R.B. i cili kishte dyshuar në falsifikimin e parave.

“Raporti i ekspertimit, i datës 05 nëntor 2021, ka rezultuar që paratë të jenë falsifikim i plotë, dhe pas veprimeve operative nga ana e policisë, është arritur të bëhet identifikimi i të dyshuarve”, njofton Prokuroria Themelore në Gjakovë.

Me urdhër të prokurorit, të pandehurit gjenden në ndalim nga data 10 nëntor 2021, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.