Prokuroria kërkon paraburgim ndaj dy personave të dyshuar për shitblerje të narkotikëve

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj dy të pandehurve F.B dhe E.L të dyshuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Prokuroria ka bërë të ditur se me 21 shtator 2021 në fshatin Pjetershan të Gjakovës, përderisa ishin duke lëvizur me veturë, të dyshuarit F.B dhe E.L, ndalohen nga patrulla e Policisë Kufitare, dhe gjatë kontrollimit tek ulësja e pasagjerit janë gjetur nëntë qese të mbushura me substancë bari, ngjyrë të gjelbër që dyshohet të jetë narkotikë i llojit Marihuanë.

“Substancën që dyshohet të jetë narkotikë i llojit Marihuanë, dyshohet se e kishin blerë në Shqipëri tre ditë më përpara se të ndaloheshin nga Policia”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokurori i rastit ndaj dy të pandehurve, ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh dhe të njëjtit me urdhër të Prokurorit gjenden në ndalim nga data 21 shtator 2021, njofton Prokuroria.