Prokuroria kërkon një muaj paraburgim ndaj J.V., për rastin e shpërthimit në Zubin Potok
I arrestuari me inicialet J.V. – lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, më 29.11.2024 – është dërguar më 03.12.2024, në Gjykatën e Prishtinës.
Seanca dëgjimore ndaj J.V. ka qenë e paraparë të fillojë në ora 10:30, por ka filluar me vonesë. Dhe, po mbahet aktualisht.
“Prokuroria Speciale ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit J.V.” – ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Lidhur me këtë rast ishte arrestuar edhe Dragisha Viqentijeviq, si i dyshuar për sulmin terrorist – të kryer më 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër- Lepencit. Të njëjtit i ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Ndërkaq, Prokuroria Speciale kishte konfirmuar për KALLXO.com, më 02.12.2024, se është liruar njëri prej të ndaluarëve për 48 orë, me inicialet D.M. – lidhur me sulmin terrorist kundër kanalit të Ibër- Lepencit.
Lidhur me rastin e ndodhur në fshatin Varagë, më 30.11.2024, Policia, në koordinim me Prokurorinë Speciale kishte kryer disa kontrolle, në lokacione të ndryshme – ku ishin gjetur e sekuestruar armë të ndryshme; si dhe, dhe pajisje të tjera.
Në përgjigjjen për KALLXO.com, nga Prokuroria Speciale, thuhet se në Stacionin Policor janë shoqëruar 10 (dhjetë) persona, të dyshuar për veprat penale: “rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike”, “kryerja e veprës terroriste”, “mbajtja në pronësi kontrolle ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria kishte konfirmuar se veprimet hetimore, për këtë rast, janë duke vazhduar.
Një shpërthim ka ndodhur, më 29.11.2024, në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës deklaroi se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia, ndërkaq është kryer nga profesionistë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Joseph Borrel e ka quajtur “sulm terrorist” shpërthimin në kanalin ujor të Ibër- Lepencit, në Varagë, të Zubin Potokut.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar, më 30.11.2024, se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin, përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm – të cilët kanë kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë, për ftohjen e termocentralit “Kosova B”. Këta gypa, më 02.12.2024, u zëvendësuan me një kontejner që u vendos në zonë.
Ndërkohë që, ekipe të misionit paqeruajtës të NATO në Kosovë, KFOR, kanë dalë, më 30.11.2024, në vendin e ngjarjes – ku ka ndodhur shpërthimi.