Foto: KALLXO.com

Prokuroria kërkon dënimin e menaxherit të Prokurimit në Dragash, i akuzuari lirimin

Prokuroria e Prizrenit kërkoi të hënën që të shpallet fajtor dhe të dënohet menaxheri i Zyrës së Prokurimit në Dragash, Nuro Ismaili.

Ismaili po gjykohet se ka lidhur kontratë me një operator më të shtrenjtë pa i plotësuar të gjitha dokumentet si dhe dështoi të marrë sigurinë e tenderit.

Në fjalën përfundimtare para Gjykatës, prokurori i çështjes, Mehdi Sefa, deklaroi se me veprimet e të akuzuarit janë përmbushur të gjitha elementet e veprës penale.

“Me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor si dhe nga raporti i auditimit të pasqyrës financiare është përcaktuar se i akuzuari duke bërë shkelje të ligjit ka dështuar të konfiskojë depozitën e sigurisë së tenderit nga operatori ekonomik “Avi Murtezi””- tha prokurori Sefa.

Tutje prokurori Sefa nga trupi gjykues kërkoi që gjatë marrjes së vendimit të merren parasysh të gjtha rrethanat rënduese dhe lehtësuese.

Përfaqësuesi i Komunës, Ramadan Krasniqi, përkundër dilemës se a duhet apo mund të konfiskohet garancioni, iu bashkëngjit ndjekjes penale dhe varësisht nga vendimi do të parashtrojë padi për kompensim dëmi.

Në anën tjetër, i akuzuari Ismaili në fjalën përfundimtare i propozoi Gjykatës që ta lirojë nga akuza.

“E lus Gjykatën që të marrë parasysh se ka qenë rekomandimi për auditim dhe se kjo situatë ka ndodhur pas shumë viteve përvojë. Nuk them se jam ideal, gjithmonë ka vend për gabime, dikush e konsideron se kam gabuar e dikush jo, prandaj Gjykata le të vendosë”-përfundoi Ismaili.

Paraprakisht në këtë gjykim Ismaili gjatë marrjes në pyetje qëndroi si në deklaratat e dhëna në Polici e Prokurori.

Shpallja lidhur me këtë rast do të bëhet më 15 shtator 2022.

Sipas Prokurorisë, Nuro Ismaili po akuzohet se nga data 18 mars 2019 deri më 28 qershor 2019, si person përgjegjës-menaxher i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Dragashit, ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojë dobi pasurore për operatorin ekonomik “Avni Murtezi”.

Ismaili, sipas aktakuzës, në cilësinë e menaxherit të Zyrës së Prokurimit, në kundërshtim me ligjin, ka lidhur kontratë për furnizim me pelet me një operator më të shtrenjtë për 3 mijë euro.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, Ismaili akuzohet se ka dështuar që të konfiskojë sigurinë e tenderit i datës 5 maj 2019 në shumën prej 3 mijë eurove për furnizim me dru për ngrohje dhe pelet nga operatori ekonomik “Avni Murtezi”.

“Pa i plotësuar të gjitha dokumentet, lidhet kontrata me operatorin më të shtrenjtë për 25,680 euro duke dëmtuar buxhetin e Komunës”- thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime, Ismaili po akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Shkrimet e KALLXO.com në lidhje me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.