Foto: KALLXO.com

Prokuroria kërkon dënimin e ish-zyrtarit që akuzohet se nënshkroi servisimin e veturave e Komunës së Dragashit në biznesin e djalit të drejtorit të Financave

Në Gjykatën e Prizrenit të hënën është dhënë fjala përfundimtare në rastin e ish-zyrtarit të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu.

Nebiu po gjykohet se si zyrtar autorizues i pagesave ka nënshkruar servisimin e automjeteve te servisi “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Prokuroria në fjalën përfundimtare ka kërkuar dënimin e Avni Nebiut.

“Prokuroria mbetet në tërësi pranë aktakuzës të precizuar ndaj të akuzuarit. Nga provat e administruara dhe shkresat e tjera operatorit ekonomik  “Menti”, i është mundësuar pagesa në shumën prej  829 euro të nënshkruara nga i akuzuari edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur operatorin ekonomik të zgjedhur me kontratë”-ka thënë prokurori Mehdi Sefa.

Prokurori Sefa ka deklaruar se servisimi i automjeteve ka qenë me një operator tjetër nga Zyra e Prokurorimit për çka me ligj nuk duhej lejuar servisimi nga operatori tjetër.

“Të gjitha shërbimet apo furnizimet të cilat kanë qenë me “LML”, autoriteti kontraktues nuk ka mundur t’i realizojë me operatorë të tjerë pasi Komuna ka pasur kontratë valide” – u shpreh prokurori.

Në anën tjetër, i akuzuari Nebiu dhe mbrojtësi i tij, Fatmir Jëlliqi, kanë kërkuar lirimin.

“Prokuroria pretendon se i mbrojturi im ka keqpërdorur detyrën zyrtare, por në këtë rast Avni Nebiu ka qenë drejtor i Administratës së Përgjithshme pranë Komunës së Dragashit e detyrë ka pasur detyrë sekondare pasi ai nuk ka qenë zyrtar i prokurimit e as financave” – tha avokati Jëlliqi.

Mes tjerash avokati Jëlliqi ka deklaruar se nuk janë plotësuar elementet qenësore të veprës penale me të cilën ngarkohet i akuzuari.

E për këto akuza foli edhe vetë Avni Nebiu.

Nebiu ka mohuar të ketë dhënë urdhër-pagesë ngase siç pretendoi ai nuk ka qenë person i autorizuar.

Shpallja lidhur me këtë rast do të bëhet me datë 27 tetor 2022.

Sipas Prokurorisë, Avni Nebiu akuzohet se i ka tejkaluar kompetencat e detyrës zyrtare me qëllim të përfitimit në dobi të servisit “Menti”.

Nebiu sipas aktakuzës ka nënshkruar urdhër-pagesat e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin ”Menti” në bazë të faturave, edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML”.

Dëmi pas preciziminit të akuzës llogaritet të jetë në vlerë prej 829 euro.

Bashkë me Avni Nebiun në këtë çështje kanë qenë edhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj Komune, të cilët pas pranimit të fajësisë janë dënuar me kusht.

Ahmet Bahtijari akuzohej se gjatë periudhës 2004 e deri më 2017, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtijari.

Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhër-pagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve.

Tutje thuhet se me këtë i mundësoi djalit të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3 mijë e 69 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1 mijë e 532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Ndërkaq, të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhër-pagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve.

Ahmet Bahtijari dhe Salajdin Vehapi më 9 dhjetor 2021 janë dënuar me nga dy vite burgim me kusht.

https://kallxo.com/ligji/denim-me-burgim-me-kusht-per-dy-ish-zyrtaret-e-komues-se-dragashit-per-servisimin-e-automjeteve/