Prokuroria kërkon dënim plotësues për zyrtarin e mbrojtjes së viktimave, i akuzuari s'ndihet fajtor

Është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit, Arlind Popaj zyrtar për mbrojtjen e viktimave, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndaj të cilit Prokurori i rastit, Zejnullah Gashi propozoi që Popajt t’i shqiptohen dënime plotësuese.

“Propozoj që të akuzuarit, t’i shqiptohet urdhri për kompensimin e humbjes apo dëmit dhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratë Publike ose në Shërbimin Publik”, tha prokurori Gashi.

Popaj u deklarua i pafajshëm në seancën e sotme.

Kujtojmë se Gjykata e Prishtinës, më 10 shkurt 2021 e kishte shpallur fajtor Popajn dhe e kishte dënuar me 6 muaj burg, por ky dënim ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 1,500 eurosh, me pëlqimin e të akuzuarit.

Ndërsa Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim, për shkak shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Arlind Popajt, të cilin e akuzon për veprën penale, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës Arlind Popaj në vitin 2018 në lokalin “Edona”, në Vushtrri, në cilësinë e personit zyrtar – përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës, duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke mos ndërmarrë veprimet që ka qenë i detyruar të ndërmarrë, krejt kjo me qëllim që të përfitonte dobi pasurore për vete.

Tutje aktakuza thotë se, i akuzuari në cilësinë e përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimës, kërkoi nga vëllai i të dëmtuarës F.P., e cila ishte viktimë e dhunës në familje, shumën prej 3 mijë eurove në formën e borxhit edhe pse i njëjti asnjëherë më parë nuk ishte njohur me të dëmtuarën apo familjarët e saj.

Në aktakuzë thuhet se e dëmtuara dhe vëllai i saj nuk i kanë pasur shumën prej 3 mijë eurove, mirëpo e dëmtuara paratë e kursyera të djalit të saj në shumën prej 1 mijë e 400 eurove, ja kishte dhënë përmes vëllait të saj, të akuzuarit, për arsye të blerjes së një veture nga ana e të akuzuarit.

Në aktakuzë përmendet edhe një shumë prej 90 eurove, të cilën i akuzuari e kishte kërkuar po ashtu nga vëllai i të dëmtuarës për trajtimin shëndetësor të djalit të akuzuarit për shërimin jashtë vendit si dhe përfitime të tjera si, mbushjen e veturës me karburant, darka dhe dreka të cilët kanë qenë të detyruar t’i shërbejnë të akuzuarit, duke e shfrytëzuar pozitën e vështirë të të dëmtuarës e cila ka qenë subjekt i dhunës fizike dhe psikike nga ana e burrit të saj.

Prokuroria kërkon që zyrtarit për mbrojtjen e viktimave t’i ndalohet ushtrimi i profesionit