Prokuroria kërkon dënim për dy të akuzuarit që udhëtuan drejt Sirisë për "qëllime të terrorizmit"

Në gjykimin ndaj Kreshnik Maqanit dhe Leonard Trepçës, të cilët akuzohen se udhëtuan drejt Sirisë për qëllime terrorizmi, është dhënë fjala përfundimtare.

Prokurorja special, Fikrije Fejzullahu, deklaroi se me anë të provave të administruara në shqyrtimin gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.

Andaj e njëjta i propozoi Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Kurse avokati Asdren Bytyqi, i cili mbron të akuzuarin Kreshnik Maqani, deklaroi se Prokuroria me asnjë provë relevante nuk ka mundur të mbështesë aktakuzën, kurse nga trupi gjykues në mungesë të provave kërkoi që i klienti i tij të shpallet i pafajshëm dhe të lirohet nga akuza.

Edhe mbrojtja e të akuzuarit Leonard Trepça, avokatja Fehmije Bytyqi-Gashi, kërkoi lirim nga akuza për të mbrojturin e saj, duke shtuar se me aktgjykim lirues Gjykata do të shërbejë si mësim në ngritje të aktakuzave pa prova.

Me fjalët e avokatëve të tyre u pajtuan edhe dy të akuzuarit në këtë rast.

Pasi që në këtë rast gjykimit i erdhi fundi, gjykatësja Shadije Gërguri bëri të ditur se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 11 shkurt.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Kreshnik Maqani dhe Leonard Trepça, kanë udhëtuar për qëllime terrorizmi, dhe se më 2 shtator 2019, përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit, e kanë lëshuar Kosovën.

Sipas Prokurorisë ata dyshohet se kanë udhëtuar për në Stamboll, me qëllim që të shkojnë në Siri dhe t’u bashkëngjiten organizatave terroriste që veprojnë atje, ku kanë qëndruar deri më 6 shtator 2019.

Aktakuza thekson se të njëjtit pasi janë zënë nga autoritetet turke në kufirin Turqi-Siri janë arrestuar dhe më 17 dhjetor 2019 u janë dorëzuar autoriteteve të Kosovës.

Me këtë Maqani the Trepça akuzohen se e kanë kryer veprën penale – udhëtimi për qëllime terrorizmi.

https://kallxo.com/ligji/te-akuzuarit-per-udhetim-per-qellime-terrorizmi-deklarohen-per-fajesine/