Prokuroria kërkon 1 muaj paraburgim për avokaten Shemsie Sheholli dhe përmbaruesin Isak Islami 

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar 1 muaj paraburgim ndaj avokates Shemsie Sheholli dhe përmbaruesit Isak Islami.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Seanca dëgjimore pritet të mbahet nga ora 14:30.

KALLXO.COM ka raportuar të hënën më 02.12.2024 se avokatja Shemsie Sheholli dhe përmbaruesi Isak Islami janë ndaluar nga Prokuroria e Prishtinës për 48-orë.

Sipas dyshimeve fillestare, ata dyshohen për ushtrim ndikimi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të prokurorisë, ata kishin kërkuar rreth 25 mijë euro nga pala në emër të gjyqtarëve të Apelit për zgjidhjen e rastit.

“Pas një pune disa mujore të Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, lidhur me hetimin e rastit të publikuar në media, ku dyshohet se kërkohen shuma prej 25 mijë euro në emër të anëtarëve të trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, lidhur me lëndën e të dëmtuarit B. S.. Sot më datë 02.12.2024 si rezultat i punës hetimore janë ndaluar Sh. Sh. dhe I. I., për shkak të veprave penale ushtrimi i ndikimit nga neni 424 par. 1 të KPRK-së dhe veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 1 të KPRK-së”- thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Avokatja Shemsie Sheholli dhe përmbaruesi Isak Islami ndalohen për 48 orë