Prokuroria jep detaje si u soll luani nga Shqipëria në Gjilan përmes rrugëve malore

Një luan është sjellë nga Shqipëria në një resort në Gjilan gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar.

Luani që nga ajo kohë është vendosur në resortin “Masa e Zezë”, në fshatin Stanqiq të Komunës së Gjilanit.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin A.H., nën dyshimin se me sjelljen e luanit në Gjilan ka bërë kontrabandë me mallra.

Sipas prokurorisë, i dyshuari A.H., përmes rrugëve dytësore malore nga Shqipëria për në Kosovë, pa asnjë dokumentacion përcjellës nga një datë e papërcaktuar deri më 21 nëntor 2019, në resortin ‘’Maja e Zezë’’, në fshatin Stanqiq të Gjilanit ka sjellë kafshën e llojit ‘’Panthera Leo’’, të racës luan, të cilin e ka vendosur në resortin ku edhe zhvillon biznesin afarist.

Prokurori i rastit, ndaj të njëjtit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, nga Gjykata kompetente në Gjilan.