Prokuroria jep detaje për vrasjen në Prizren

Prokuroria e Prizrenit ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen që ka ndodhur në rrugën “Hysni Morina” në Prizren, ku ka mbetur e vrarë një grua.

Prokuroria njofton se vrasja me armë zjarri ka ndodhur mbrëmë, rreth orës 23:18.

Sipas dyshimeve të para të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet B.V., dhe viktima A.V., kanë qenë bashkëshortë, ndërkaq ende nuk dihet motivi i vrasjes.

Në vendin e ngjarjes është gjetur viktima, pistoleta, dy karikatorë si dhe 15 gëzhoja të kalibrit 9 mm.

Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Po ashtu, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, policia ka bastisur edhe shtëpinë e të dyshuarit, ku gjatë bastisjes kanë sekuestruar: një pistoletë, dy karikatorë si dhe 42 fishekë të pistoletës.

Me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa, gjatë ditës pritet që në Gjykatë të dorëzohet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

Gjithashtu, Prokuroria e Prizrenit, njofton se pas verifikimeve të bëra në databazën e Prokurorisë, të njëjtit nuk kanë pasur ndonjë rast të paraqitur apo të raportuar për dhunë në familje apo rast të ngjashëm.

“Prokuroria Themelore në Prizren, rastet e dhunës në familje i trajton me prioritet dhe ka të caktuar dy prokuror që që merren me trajtimin e rasteve të tilla. Andaj, Prokuroria Themelore në Prizren, si institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi ligjore dhe Kushtetuese mbetet e përkushtuar për luftimin e çfarë do lloj natyre të kriminalitetit që bie mbi kompetencën dhe përgjegjësinë e kësaj Prokurorie”, ka njoftuar Prokuroria e Prizrenit.

(FOTO) Vendi ku ndodhi vrasja në Prizren

.