Foto: Ilustrim

Prokuroria jep detaje për vrasjen aksidentale të gruas nga Podujeva

Gjatë ditës së djeshme, KALLXO.com ka raportuar se një grua në Podujevë ka vdekur dy ditë pasi është plagosur nga dy persona të dyshuar.

Policia ka njoftuar se gruaja është plagosur aksidentalisht, ndërsa dy ditë pasi që është dërguar në QKUK, ka vdekur.

Në vendin ku ka ndodhur rasti, policia ka njoftuar janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta, 13 fishekë dhe një gëzhojë.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë në lidhje me këtë rast.

Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka thënë se me urdhër të prokurorit kujdestar të Departamentit të Krimeve të Rënda është ndaluar i dyshuari i cili ka plagosur gruan.

“Është ndaluar një person dhe ndaj të njëjtit, gjatë ditës së djeshme, prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Po ashtu, me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar për obduksion”, ka thënë Ulaj.

Prokuroria duke mos dhënë më shumë detaje se si ka ndodhur rasti, ka bërë të ditur se po hetojnë në drejtim të veprave penale “Vrasje nga pakujdesia”, dhe “Mbajtje në pronësi të paautorizuar e armëve”.

Sipas Prokurorisë, dyshimet e para rreth rastit janë se plagosja ka ndodhur aksidentalisht.

“Dyshohet se viktima është plagosur aksidentalisht, andaj hetimet janë duke u zhvilluar me qëllim të zbulimit të rrethanave të ngjarjes”, ka thënë Ulaj për KALLXO.com.

Vdes gruaja e cila u plagos në Podujevë, arrestohen dy persona