Prokuroria jep detaje për vlerën e drogës që u zbulua sot në rajonin e Dukagjinit

Prokuroria e Pejës ka treguar se gjatë aksionit të sotëm në rajonin e Dukagjinit ka sekuestruar dhe asgjësuar drogë në vlerë prej 600 mijë euro.

Sipas njoftimit, nga ky aksion janë arrestuar shtatë persona dhe janë bastisur 10 lokacione në dy qytete, në Deçan dhe Gjakovë.

“Prokuroria Themelore në Pejë në koordinim me Policinë e Kosovës sot kanë bastisur 10 lokacione, në Deçan dhe në Gjakovë, ku janë ndaluar me urdhër të Prokurorit të Shtetit 7 persona të dyshuar”- thuhet në njoftim.

Të arrestuarit dyshohet për veprat penale “Kultivimi i bimës se hashashit, shkurres së kokainës apo kanabisit”- dhe  “Blerja, posedimit, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Në njoftim është thënë se gjatë bastisjeve në komunën e Gjakovës janë sekuestruar rreth 500 gramë narkotikë të dyshuar të llojit kokainë, ndërsa gjatë bastisjes në komunën e Deçanit në disa lokacione janë sekuestruar dhe asgjësuar rreth 180 bimë të mbjella të narkotikëve të llojit mariuhanë, në sasi totale mbi 100 kilogramë.

Po ashtu, në aksionin e sotëm është thënë se janë sekuestruar edhe armë, telefona, para kesh dhe prova tjera materiale të cilat do shërbejnë për ndriçimin e kësaj çështje penale.

Tutje njoftohet se Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor kundër 7 të pandehurve do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente. ​

Ky aksion i Prokurorisë së Pejës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka filluar në orët e hershme të mëngjesit.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar gjatë ditës në vendin e ngjarjes.

Pamje – Bastisje për drogë në Gjakovë e Deçan, shtatë persona të arrestuar

Kujtojmë që para disa ditëve, më saktë më 7 shtator 2022 u zhvillua një aksion tjetër i tillë.

Aksioni ishte zhvilluar në komunat Pejë, Klinë, Istog, Skenderaj dhe Mitrovicë.