Shiriti i Policisë, FOTO-Ilustrim

Prokuroria jep detaje për vdekjen e të miturit që u ther me thikë në Prizren

Një i mitur ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra pas therjes me thikë nga një person.

Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 10 të mëngjesit në Prizren më saktësisht në rrugën “Ylber Fanaj”.

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje në lidhje me rastin duke treguar se kanë qenë të përfshirë disa të mitur ndërsa njëri nga ta u ther me thikë në pjesën e majtë të gjoksit, e më pas i njëjti kishte vdekur si pasojë e lëndimeve.

“Prokurori kujdestar së bashku me njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë siguruar provat materiale”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Tutje në njoftim thuhet edhe se nga informacionet fillestare ka rezultuar se në rastin konkret të miturit e përfshirë në përleshje kanë poseduar një armë zjarri dhe dy thika.

“Momentalisht, prokurori kujdestar së bashku me policinë janë duke bërë hetime, për të zbuluar motivet e ngjarjes dhe për ta zbardhur rastin në tërësi”, thuhet tutje në njoftim.

Trupi i të miturit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Prokuroria ka njoftuar se kërkuar nga Gjykata që ndaj të miturit që ka shkaktuar vrasjen të caktohet masa e paraburgimit, ndërsa dy të miturit e tjerë, që kanë marrë pjesë në përleshje, janë liruar në procedurë të rregullt.