Prokuroria jep detaje për vdekjen e 50-vjeçarit në Prishtinë

Një person i moshës 50 vjeç është gjetur pa shenja jete gjatë ditës së sotme në lagjen “Kalabria” në Prishtinë.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci nga informacionet e para të rastit dyshohet se “ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje”.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion dhe se rasti është cilësuar “Hetim mbi vdekje”

“Ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Renda i është përgjigjur vendit të ngjarjes bashkë me njësitë e tjera relevante. Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e një personi. Me urdhër të prokurores trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion, derisa rasti është cilësuar ‘hetim mbi vdekjen'”, ka thënë Ulaj për KALLXO.com.

Tutje ajo ka treguar se në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.

Në anën tjetër, sipas Borovcit trupi i viktimës është gjetur rreth orës 12:00.

“Rreth orës 12:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në një veturë në lagjen “Emshir” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe mjekët emergjentë të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, rreth 50 vjeç”, ka thënë Borovci për KALLXO.com.

“Mbështetur në informacionet e para, përkundër që ka elemente që sugjerojnë për vetëvrasje, policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim mbi vdekjen dhe po vijon me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmonin hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit”, ka shtuar tutje Borovci.