Prokuroria jep detaje nga dosja që rëndon ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas shtatzënë

Prokuroria e Ferizajt, njofton opinionin publik se më datë 20.07.2022, ka pranuar kallëzim penal kundër S. H., nga komuna e Shtimes, për shkak të dyshimit se i njëjti kishte kryer vepër penale “Dhuna në familje”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, prokurori i çështjes ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe më datë 09.08.2022 ka intervistuar të dëmtuarën H.M., dhe ka udhëzuar palën e dëmtuar në prezencë të mbrojtësit të viktimave nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave që funksion në kuadër të Prokurorisë së Shtetit që të bëjë kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për marrjen e urdhrit mbrojtës.

“Një ditë më vonë, përkatësisht më datën 10.08.2022, prokurori i çështjes ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S. H., për veprën penale Kanosja nga neni 181, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 dhe nenin 77 të KPRK-së”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Ferizajt.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, duke vepruar në bazë të kërkesës së Zyrës për Mbrojtjen e Viktimave në Ferizaj, më datë 13.09.2022, ka lëshuar aktvendim për urdhër mbrojtje, i cili urdhër ka qenë në fuqi deri më 13.03.2023.  Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e  urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës”.

Mbrëmjen e djeshme ndodhi një vrasje e dyfishtë, që tronditi Kosovën.

Një grua që ishte shtatzënë është vrarë në oborrin e QKUK, nga partneri i saj.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast LINK.

Vrasja e 35-vjeçares në oborrin e QKUK-së, viktima ishte nën urdhër mbrojtjeje