Një kuti votimi | Foto: Atdhe Mulla

Prokuroria interviston personat që ishin të pranishëm gjatë hapjes së kutive me vota nga Serbia

Vëzhguesit dhe zyrtarët e KQZ-së të cilët kanë qenë të pranishëm në Qendrën e verifikimit të votave sot në kohën e incidentit gjatë të cilit dyshohet se u helmuan mbi 20 persona, janë duke u intervistuar nga Prokuroria.

Këtë e ka bërë të ditur Besnik Buzhala nga divizioni i Shërbimit të Votuesve.

“Vëzhguesit  dhe zyrtarët të cilët kanë qenë të pranishëm gjatë hapjes së zarfeve, janë duke u intervistuar në vendin e ngjarjes nga Prokuroria”, u ka thënë ai gazetarëve.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive sot janë lajmëruar 9 pacientë që dyshohet se janë helmuar nga kutitë e votimit që kanë ardhur nga Serbia në Qendrën e verifikimit të votave.

ShSKUK përmes një komunikate për media thekson, se sot në ora,11:58, në Klinikën Infektive, janë lajmëruar 9 pacientë të gjinisë femërore, dy prej tyre shtatzënë, me kruarje të duarve të intensitetit të ulët.

Sipas tyre, gjendja e pacienteve është stabile.

KALLXO.com do të ju mbajë të informuar lidhur me rastin në fjalë.