Ilustrim

Prokuroria: I dyshuari e privoi nga jeta gruan me shufër metalike

I dyshuari për vrasjen e gruas së tij së fshatin Berivojcë – Kamenicë, është ndaluar për 48 orë.

Lajmin për KALLXo.com e ka konfirmuar Prokuroria e Gjilanit.

“Po mundemi të konfirmojmë që sot në fsh. Berivojcë, komuna e Kamenicës një person dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, motivet e së cilës ende nuk dihen. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është ndalur për 48 ore.

“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:20 minuta, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, ku i dyshuari N. M., rreth 42 vjeç, dyshohet se me mjet të përshtatshëm – shufër metalike ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, tani të ndjerën S. M., rreth moshës 34 vjeçare. Në këtë mënyrë dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Vrasje e rëndë’’, nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në vendin e ngjarjes kanë dalur prokurori i rastit, policia dhe ekipa mjekësore, me ç’rast nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e të ndjerës dhe me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Ndërsa, i dyshuari N. M., me vendim të prokurorit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor ndaj tij do të kërkohet masa për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale”, njofton Prokuroria.

Policia pak më parë njoftoi se: “Sot, më 25.07.2020, rreth orës 13:20, policia është njoftuar për një vrasje në fshatin Berivojcë të Kamenicës. Dyshohet se një mashkull  (rreth 42 vjeçar), ka vrarë gruan e tij (rreth 34 vjeçare). Njësitet policore i janë përgjigjur vend-ngjarjes, është arrestuar i dyshuari, është njoftuar prokurori dhe po vazhdon kompletimi i rastit nga hetuesit policorë”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Vritet një grua në Kamenicë, i dyshuar burri i saj

.