Prokuroria heton edhe dy gra për vrasjen e policit në Zhur

Prokuroria e Prizrenit me intensitet të lartë po heton rastin ku në detyrë mbeti i vrarë pjesëtari i njësitit special të Policisë së Kosovës, Sami Thaqi.

Iran Badalli ka qenë i dyshuar i parë i Prokurorisë pasi në shtëpinë e tij ndodhi ngjarja tragjike natën e 28 janarit dhe ai po atë natë është arrestuar nga Policia.

KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prizrenit ka marrë aktvendim për zgjerim të hetimeve edhe ndaj tre personave tjerë, që të gjithë të dyshuar se kanë vepruar në bashkëkryerje me të dyshuarin Iran Badalli.

Badalli po dyshohet për kryerjen e tre veprave penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm që ka rezultuar me vdekjen e zyrtarit policor Sami Thaqi si atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm që ka rezultuar me lëndime të rënda trupore për zyrtarët policorë, Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj. Ai gjithashtu po dyshohet edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim t paautorizuar të armëve.

I njëjti po dyshohet se në dhomën e katit të dytë në shtëpinë e tij ka kurdisur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit ‘TNT’.

Me rastin e bastisjes nga Policia dhe kontakti fizik me telin detonues ka shpërthyer eksplozivi, me ç’rast ka vdekur Polici Sami Thaqi, e gjithashtu lëndime të rënda kanë pësuar edhe dy zyrtarët tjerë të Njësitit Anti-Drogë.

Kur kanë kaluar rreth 15 ditë nga ngjarja e ndodhur Prokuroria ka zgjeruar hetimin e saj edhe ndaj të dyshuare tjerë.

Prokuroria e Prizrenit hetimet e saj i filluar edhe ndaj  të dyshuarit, Arben Gashi, ndaj të cilit sot është caktuar masa e paraburgimit, nën dyshimet se në bashkëkryerje me Iran Badallin kanë kryer tre vepra penale.

Kallxo.com mëson se Prokuroria e Prizrenit ka filluar hetimet edhe dy personave tjerë, e dyshuara me iniciale L.SH, si dhe ndaj një personi tjetër me iniciale Z.SH.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë që të gjithë janë duke u hetuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale që rezultuan me vdekjen e Sami Thaqit dhe të lëndimit e dy kolegëve të tij Artur Mrasori dhe Jetmir Hasanaj.

Dy të dyshuarit Iran Badalli dhe Arben Gashi gjenden nën masën e paraburgimit, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë duke u hetuar në procedurë të rregullt.

Sipas prokurorisë i dyshuari Iran Badalli po dyshohet se në dhomën e katit të dytë në shtëpinë e tij ka kurdisur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit “TNT“.

Me rastin e bastisjes nga Policia dhe kontakti fizik me telin detonues ka shpërthyer eksplozivi, me ç ‘rast ka gjetur vdekjen Polici Sami Thaqi, e gjithashtu lëndime të rënda kanë pësuar edhe dy zyrtarët  tjerë të Njësitit Anti-Drogë.

Sipas Prokurorisë i njëjti që nga data e pa vërtetuar e deri më datë 29 janar pas ngjarjes tragjike të ndodhur në shtëpinë e tij, ka poseduar eksploziv “TNT” në peshë prej 809 gr.

Me anë të këtij eksplozivi i njëjti po dyshohet të ketë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve e që ka rezultuar me vdekjen në detyrë të zyrtarit policor Sami Thaqi.

Kallxo.com ka raportuar për të kaluarën kriminale të të dyshuarit Iran Badalli e cila rezulton të jetë me shumë vepra penale të vjedhjes dhe të dhunës në familje.

“Nuk është e vërtetë”, ka deklaruar i dyshuari Badalli, duke mohuar se është në dijeni të asaj çfarë ka ndodhur dy net më parë.

Iran Badalli ka thënë se ditën kur ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë në shtëpi qysh prej orës 15:00.

“Jam largu nga shtëpia e nuk jam kanë aty prej mbasditës, vetëm fëmijët janë kanë në shtëpi”, ka thënë Badalli.

I njëjti ka deklaruar se fillimisht kishte telefonuar vajzën e tij.

“Jemi kanë tu fol edhe është ndal telefoni, kur e kam thirr prapë më është lajmëruar Policia, edhe m’kanë thanë me shku në shtëpi”, ka deklaruar Iran Badalli, duke shtuar se është drejtuar për te shtëpia e tij.

“Qysh ka ndodh ngjarja nuk e di, se pse ka ndodh ashtu”, ka deklaruar Badalli lidhur me ngjarjen e ndodhur në katin e dytë të shtëpisë së tij ku mbeti i vrarë në detyrë polici Sami Thaqi.

Intervistimi i të dyshuarit, marrja e një deklaratë më të detajuar nga Iran Badalli  për të sqaruar rrethana të paqarta deri më tani, pastaj intervistimi  i dëshmitarëve tjerë përfshirë këtu zyrtarët policorë që ishin duke zhvilluar bastisjen, dhe sigurimi i provave tjera nga vendi i ngjarjes, janë drejtimet në të cilat Prokuroria e Prizrenit dhe prokurori Metush Biraj do t’i drejtojnë veprimet e tyre për të zbardhur rrethanat si erdhi deri te shpërthimi dhe ngjarja tragjike e ndodhur mbrëmjen e 28 janarit.