Prokuroria: Hetimet për privatizim të hidrocentraleve finalizohen deri në maj

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thotë se hetimet për privatizimin e katër hidrocentraleve së bashku me KEDS-in do të finalizohen me kohë, apo deri në muajin maj kur mbushen dy vjet që kur është lëshuar vendimi për fillim të hetimeve.

Hetimet kishin nisur në muajin maj të vitit 2018 apo vetëm disa ditë para se skandali i faljes së katër hidrocentraleve me rastin e privatizimit të KEDS-it të parashkruhej.

Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Prokurorisë Speciale thotë se hetimet lidhur me këtë çështje janë në fazën përfundimtare dhe ato pritet të përfundojnë brenda periudhës 2 vjeçare që përfundon në muajin maj.

Por, Lutfiu thotë se Kodi Penal i mundëson prokurorisë që të kërkojë edhe 6 muaj shtesë për hetime.

“Duke qenë se jemi në fazën përfundimtare, hetimet priten të finalizohen me kohë (edhe pse sipas nevojës mund të kërkohet edhe hetim shtesë prej gjashtë muajsh, ashtu siç parashihet me dispozitat e KPPRK)”, ka thënë Lutfiu.

Prokuroria Speciale nuk ka treguar se cili prokuror është duke i udhëheq hetimet.

“Hetimet i ka filluar Prokurori Faik Halilaj, i cili tashmë është i pensionuar, kurse tani përgjegjës për hetime është një prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjet e Lutfiut.

Privatizimi i KEDS-it ishte përmbyllur me datën 8 maj 2013. Katër hidrocentrale ishin privatizuar në mënyrë tinëzare bashkë me distribucionin dhe furnizimin me energji elektrike. Përfshirja e tyre në pakon tenderuese ishte mbajtur e fshehtë, ndërsa edhe ministrat që kanë marrë vendimet kryesore për privatizim kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se në pako është përfshirë edhe shitja e hidrocentraleve.

Katër hidrocentrale janë shitur së bashku me KEDS-in: hidrocentrali i Dikancës, hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit.

Ato janë dhënë me koncesion nga KEK-u me qëllim të rivitalizimit të tyre dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese. Në kohën kur janë dhënë me qira, sipas KEK-ut, ato kanë pasur një kapacitet të instaluar prej 11 megavatëve, mirëpo koncesionarët janë zotuar se pas investimeve që do të bëjnë kapaciteti i tyre do të rritej në 14 megavatë.

Nëse shihen komunikatat e lëshuara nga KEK-u, në kohën e dhënies së këtyre hidrocentraleve me koncesion, atëherë del që në to është dashur të investohen 15 milionë euro.

Më parë ishte raportuar se hidrocentralet ishin pjesë e listës së aseteve, mirëpo ishin shkruar vetëm pjesët përbërëse të hidrocentraleve. Gazeta Jeta në Kosovë e ka analizuar listën e aseteve, vetëm te pjesa e hidrocentraleve.

Në listën e gjatë të aseteve janë futur edhe pjesët përbërëse të hidrocentraleve. Në tërë listën e gjatë të aseteve vetëm në një vend shkruan “HCV”, që është akronim për “Hidrocentralet e Vogla”. Në asnjë vend tjetër të kësaj liste nuk figuron fjala hidrocentral.