Prokuroria heq dorë nga ndjekja penale ndaj ish-shefit të Njësitit të Hetimeve të ATK-së, Safet Krasniqi
Në fjalën përfundimtare e cila u dha sot në Gjykatën e Prishtinës, në gjykimin ndaj të akuzuarit, ish-shefit të Njësitit të Hetimeve të ATK-së, Safet Krasniqi, për veprën penale keqpërdorimi detyrës zyre, Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale.
Krasniqi nga Prokuroria Speciale akuzohej se që nga viti 2013 e deri në vitin 2019, sa ka qenë në krye të Hetimeve të ATK-së e ka keqpërdorur detyrën e tij dhe u ka mundësuar bizneseve që të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme.
Prokurori Burim Çerkini pas elaborimit, në pika të shkurta të fjalës përfundimtare, deklaroi se tërhiqet nga ndjekja penal ndaj Krasniqit, me të cilën i njëjti tha se është bazuar në të gjitha provat e marra në këtë shqyrtimit gjyqësor, si dhe nga deklaratat e dëshmitarëve, shtoi se nuk është vërtetuar se Kransiqi ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
“Në mungesë të provave ne tërhiqemi nga ndjekja penale për Safet Krasniqin”, tha prokurori Çerkini.
Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Blerim Prestershi, tha se kjo gjë nga ana e prokurorit është për t`u vlerësuar.
“Kjo nga prokurori është për t`u vlerësuar, duke shtuar se kjo aktakuzë ishte dy herë në plotësim, dhe kjo aktakuzë ka lindur për t`u dështuar”, tha avokati Prestershi.
Pas kësaj kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri, njoftoi palët e pranishme se Gjykata do të merr aktgjykimin refuzues meqenëse në seancën e sotme prokurori special është tërhequr nga aktakuza.
Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, Safet Krasniqi, akuzohej se edhe pse ka qenë në dijeni se shumë biznese po u shmangeshin tatimeve duke u përfshirë në transaksione dhe fatura fiktive nuk kishte ndërmarrë veprime të kontrolleve, vizitave dhe nuk ka iniciuar procedura penale ndaj atyre bizneseve.
Madje, sipas Prokurorisë, ai u kishte mundësuar këtyre bizneseve që të bëjnë korrigjimin e deklarimeve tatimore edhe pse ka qenë në dijeni se një veprim i tillë ishte i kundërligjshëm.
Dëmi të cilin Krasniqi akuzohej t`i ketë shkaktuar ATK-së është mbi 883 mijë euro.
Ky skandal ishte zbuluar nga hulumtimi i emisionit “Jeta në Kosovë“.