Prokuroria hap rast lidhur me akuzat e Thaçit për dhomën e përgjimeve në Telekom

Prokuroria e Shtetit ka filluar që të grumbullojë informacione në lidhje me akuzat e Presidentit Hashim Thaçi, se Kryeministri në detyrë Albin Kurti, Zv.Kryeministri Haki Abazi dhe U.D i detyrës së Ministrit të MPB-së, Xhelal Sveçla kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës për tri ditë rresht.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se ka nisur grumbullimi i informatave.

“Ju njoftoj se Prokurori i Shtetit është në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë drejtuar KALLXO.com.

KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje nga Prokuroria e Shtetit nëse Kurti ose Thaçi janë intervistuar në lidhje me këtë rast.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar se zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës për 3 ditë rresht.

Sipas Thaçit, Albin Kurti, Haki Abazi e Xhelal Sveçla kanë hyrë në dhomën e përgjimeve duke shkelur ligjin.

Thaçi ka deklaruar se Kurti, Abazi e Sveçla e kanë ndalur kamerën dhe janë futur brenda për 3 ditë rresht.

Gjatë ditës së sotme Kurti i është përgjigjur akuzave të Thaçit .

Kurti i ka quajtur gënjeshtra deklarimet e presientit Hashim Thaçi se ai ka ka deklaruar se zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Postë-Telekomin e Kosovës për 3 ditë rresht.

“Problemi me kundërshtarët është që nuk mund të gënjejnë vetëm një herë, ato janë shpifje. Duket që protagonistëve të aferës Pronto ju ka ngelur mendja te përgjimet atëhër kur e ushtronin italishtën e mafiozëve. Të mos humbim kohë sepse dëshirat po i përshkruajnë si fakte, ata kanë dëshirë të hynë ne dhomën e përgjimeve”, tha Kurti sot para gazetarëve.