Prokuroria: Gjilanasi e lidhi vajzën 10 vjeçare me zinxhirë

Është ngritur aktakuzë ndaj gjilanasit që dyshohet se e mbajti të lidhur me zinxhirë vajzën e tij 10 vjeçare.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë, ndaj të pandehurit F.R., i cili gjendet në paraburgim që nga data 29 mars e këtij viti nën dyshimet se e mbajti të lidhur me zinxhirë vajzën e tij dhjetë vjeçare.

Sipas aktakuzës, vajza është mbajtur e lidhur me zinxhirë që nga gjysma e muajit mars e deri më 29 mars të këtij viti, në fshatin Pasjak të komunës së Novobërdës.

“I pandehuri F.R. në shtëpinë familjare, me dashje dhe me qëllim e ka mbajtur të lidhur vajzën e tij 10 vjeçare, me një zinxhir të shkurtë metalik, duke ia lidhur të dy këmbët, të cilën nuk e ka zgjidhur edhe përkundër kërkesave të saj, por e ka mbajtur me forcë të mbyllur brenda shtëpisë. I pandehuri e ka mbajtur të lidhur vajzën e tij deri atëherë kur në shtëpinë e tyre kanë shkuar një komision nga shkolla, për shkak të shqetësimit se e mitura nuk vijonte mësimin, me ç’rast të njëjtën e kanë gjetur të lidhur dhe e kanë raportuar rastin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.

Tutje thuhet se personi në fjalë, ‘ka kryer veprën penale ‘’Privim i kundërligjshëm i lirisë’’ nga neni 196 paragrafi 2 pika 2.1 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës’.

Në anën tjetër, prokurorja e rastit, ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, që i pandehuri të shpallet fajtor për këtë vepër penale dhe ndaj tij të shqiptohet sanksion penal, me të cilin do të arrihej qëllimi i dënimit.