Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Prokuroria e Shtetit: Nuk ka të arrestuar për blerje votash në Podujevë

Koordinatorja për monitorimin e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula ka konfirmuar se nuk ka asnjë person të arrestuar në lidhje me blerje votash në Komunën e Podujevës.

Pula e kontaktuar nga KALLXO.com tha se prokurori kujdestar nuk ka asnjë provë që dërgon në veprën penale të blerjes së votave.

Këto komente të Pulës, erdhën pasi faqja në Facebook e Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Podujevë, ka postuar se një asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës është arrestuar për blerje votash.

“Policia e Kosovës sot ka ndaluar aktivistin e LDK-së, Arsim Syla në Gllamnik të Podujevës për blerje votash, i cili është intervistuar si i dyshuar. Lëvizja Vetëvendosje ka informacione nga tereni se edhe aktivistë të tjerë të LDK-së po bëjnë të njëjtën gjë”, thuhet në deklaratën e publikuar nga LVV- Qendra Besianë.

Në po të njëjtin postim thuhet se LVV kërkon nga organet e rendit të ndaloj këto veprimtari të kundërligjshme që cenojnë demokracinë.

Në anën tjetër, Laura Pula, rikonfirmoi për KALLXO.com se nuk ka diçka të vërtetë në këtë rast.

“Absolut asgjë nuk ka ndodhur, e ka verifikuar edhe prokurori kujdestar atje që është së bashku me hetues. Nuk ka asnjë rast. Na e kemi prokurorin në vend të ngjarjes, nuk ka të arrestuar asnjë person”.

Gjatë ditës së sotme është raportuar në lidhje me një rast në Gllamnik të Komunës së Podujevës se një person ishte arrestuar nën dyshimin për blerje votash.

KALLXO.com edhe gjatë ditës ka konfirmuar se në këtë rast nuk është arrestuar asnjë person siç ishte raportuar pak orë më parë nga nga portali “Kosova-Express”.

Lajmi i rremë për arrestimin në Podujevë për blerje të votave