Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgimin e një zyrtari policor

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar paraburgimin e katër personave, për veprat lëndim i lehtë trupor dhe kanosje.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se nga Gjykata u kërkuar paraburgimi i Ç. S., D. S., F. B. për shkak se kishin kryer veprën e lëndimit të lehtë trupor dhe paraburgimin e I. S. për veprën kanosja.

“Të pandehurit Ç. S., D. S. dhe F. B., më datë 31.08.2024 rreth orës 15:50min, në Prizren, në rrugën “Wiliam Wolker”, pikërisht në parkingun e një Qendre Tregtare, në bashkëveprim i shkaktojnë lëndime trupore dhe përkohësisht ia dëmtojnë shëndetin të dëmtuarit S. B.” – thuhet mes tjerash në komunikatën e Prokurorisë.

Kur i dëmtuari ishte duke shkuar tek vetura, është ndaluar nga Ç. S. dhe kishte filluar konfilkti verbal. I dyshuari e kishe godit viktimën me kokë dhe pastaj kanë ndërhyrë edhe D. S. dhe F. B., të cilët e kanë goditur viktimën me grushte.

Për lëndimet e pësuara të viktimës, Prokuroria e përmend edhe një raport mjekësor të lëshuar nga Spitali Rajonal i Prizrenit.

“Të pandehurit Ç. S. dhe D. S., pasi i shkaktojnë lëndime trupore të dëmtuarit, ku ndërhynë zyrtarët policorë për ta ndalur sulmin, në prani të zyrtarëve policorë, e kanosin të dëmtuarin me fjalët “s’ka me të nxan nata, kemi me të vra”, me ç’rast tek i njëjti kanë shkaktuar frikë, ankth dhe pasiguri për jetën e tij” – thuhet tutje nga Prokuroria.

Paraburgim u kërkua edhe për I. S., zyrtar policor, i cili dyshohet se në të njëjtën ditë, rreth orës 17:30 u paraqit në stacionin policor për t`u interesuar për djemtë e tij, të përfshirë në rrahje.

I. S. dyshohet se në prezencë të hetuesit V. M. e kanos të dëmtuarin S. B. se do ta privojë nga jeta.