Prokuroria e Prizrenit heton vdekjen e dyshimtë të një gruaje në QKUK

Është duke u hetuar nga Prokuroria e Prizrenit vdekja e një gruaje në QKUK.

Djali i viktimës është ankuar se nëna e tij ka vdekur si pasojë e trajtimit jo të duhur nga ana e mjekëve.

Prokuroria e Prizrenit bën të ditur për KALLXO.com se viktima fillimisht me datë 06.11.2022 ishte operuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit ‘’Prim. Daut Mustafa’’ dhe pas përkeqësimit të gjendjes së saj, është dërguar me urgjencë në QKUK, ku edhe ka vdekur.

Me urdhër të prokurorit trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë që të kryhet autopsia me qëllim të vërtetimit të shkakut të vdekjes.

Sipas njoftimit të policisë vdekja ka ndodhur më 8 nëntor, ndërsa, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për Rajonin e Prishtinës tregoi për KALLXO.com se rasti ka ndodhur në Klinikën e Gjinekologjisë.

Në përgjigjen e Prokurorisë për KALLXO.com thuhet se do të merren të gjitha hapat e nevojshëm për zbardhjen e rastit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në ShSKUK por nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.