Prokuroria e Prishtinës përball gazetarëve për dyshimin e dhunimit të 11-vjeçares

Gazetarët e KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Labinot Leposhtica, kanë kërkuar nga prokuroria e Prishtinës informacion pse në konferencë për media nuk ka dal kryeprokurori apo prokurori i rastit, pas parasysh ndjeshmërinë e rastit.

“Është thirre konferencë për me sqaru publikun dhe është çështje e brendshme e jona” – tha zëdhënësja Ulaj.

Po ashtu, nga ekipi i KALLXO.com kanë kërkuar emrat e prokurorëve qe kanë trajtuar rastin, por zëdhënësja e Prokuorrisë nuk i ka dhënë emrat.

“Janë dy prokurorë, dhe në këtë faze nuk mund t’i bëjmë të ditur emrat e prokurorëve” – tha Ulaj.

Ulaj nuk dha informacion nëse është hapur dosje për hetim ndaj prokurorit të rastit apo punëtorëve të Qendrës për Punë Sociale.

Po ashtu e njëjta nuk dha informacion në pyetjet e gazetarit të KALLXO.com lidhur me veprimet e ndërmarra nga prokuroria prej momentin kur është bërë kërkesa për ekzaminim te telefonit e deri të rezultatet.

Edhe këtu zëdhënësja tha se këto janë veprime hetimore për të cilat nuk mund të jap informacion.

“Po e quani rastin profesional e në dosje e keni vetëm një dëshmitar, a e quani këtë profesionalizim, 3 muaj nuk e keni marrë asnjë dëshmitar, vetëm një dëshmitar për 3 muaj, ku është profesionalizmi këtu?” – u pyet Ulaj nga gazetari i KALLXO.

Ajo përsëri u përgjigj se kjo është çështje e hetimit të brendshëm dhe nuk mund të jap informacion.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast duke dhënë detaje nga dosja e prokurorisë.