Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Prokuroria e Prishtinës kërkon paraburgim për burrin që dyshohet se plagosi gruan e tij

Prokuroria e  Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji për I. A., personin i cili dyshohet se plagosi bashkëshorten e tij.

Këtë për Kallxo.com e aka konfirmuar zëdhënja e Gjykatës së Prishtinës Mirlinda Gashi.

“E kemi pranu kërkesën e prokurorisë për paraburgim. Seanca është mbajtur sot por akoma nuk është marrë vendimi” – ka konfirmuar përmes telefonit Mirlinda Gashi.

Kallxo.com mëson se vendimin lidhur me paraburgimin do ta marrë gjyqtari Naser Foniqi.

E kryeprokurori i Prishtinës Zejnullah Gashi i ka konfirmuar Kallxo.com se lidhur me këtë rast është marrë prokurori kujdestar përkatësisht prokurorja Fatmire Cacaj.

Një burrë dyshohet se ka plagosur gruan e tij mëngjesin e datës 06.08.2024 në Bresje të Fushë Kosovës.

KALLXO.com ka mësuar se të njëjtit janë burrë e grua, mirëpo nuk jetonin bashkë në të njëjtin vend.

Gjendja e gruas së plagosur aktualisht është stabile, e të njëjtës iu janë bërë ekzaminimet e nevojshme mjekësore.

Lajmi për KALLXO.com e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo tha se lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar.