Prokuroria Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Prokuroria e Prishtinës i përgjigjet Haxhiut pas deklaratës për dorëheqje të kryeprokurorit 

Pas arrestimit të gjashtë të dyshuarve për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në muajin qershor, sot ka reaguar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka shtruar disa pyetje për mosveprimin e Prokurorisë së Prishtinës.

Haxhiu ka thënë se më e pakta që do të duhej të ndodhte është dorëheqja e kryeprokurorit të kësaj prokurorie dhe e prokurorit që ka qenë i ngarkuar me rastin e muajit qershor.

“Pa pasur dorëheqje dhe shkarkime të atyre që nuk vepruan në kohë dhe sipas përgjegjësisë, fatkeqësisht mund të kemi viktima të tjera” – tha ajo.

Kësaj deklarate të ministres Haxhiu i është përgjigjur Prokuroria e Prishtinës.

Ata kanë thënë se i cilësojnë si të pabaza dhe të papranueshme këto deklarata.

“Trajtimi i rastit të 11-vjeçares nga ana e Prokurorit të Shtetit është bërë konform të gjitha dispozitave ligjore të cilat janë ndërmarrë në kohë dhe në mënyrë profesionale, në koordinim me institucionet e tjera relevante, andaj, për ne janë të pabaza dhe të papranueshme deklarata të tilla publike” – thuhet në njoftim.

Tutje është thënë se këta të fundit në vazhdën e kërkesave që kanë pasur drejtuar organeve ekzekutive, kanë kërkuar edhe angazhimin e një psikologu pranë kësaj prokurorie, në trajtimin e çështjeve penale, sidomos atyre për të mitur.

Sipas Prokurorisë, një kërkesë e tillë nuk është aprovuar asnjëherë me arsyetimin se nuk ka mjete buxhetore për ta mbuluar këtë kërkesë.

“Theksojmë se Prokurori i Shtetit ka vazhduar të trajtojë raste të tilla penale dhe do të mbetet i përkushtuar për përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë rast dhe të gjitha rastet e tjera të cilat i ka në trajtim, gjithmonë duke e ruajtur ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë institucionale” –  thuhet tutje.

6 të dyshuarit për dhunimin, trafikimin dhe veprën e ofrimit të shërbimeve seksuale kanë dalë sot para gjykatës.

Detaje të reja tregojnë për tmerrin e 11-vjeçares e cila brenda një dite po pretendohet se ka pasur gjashtë dhunime e marrëdhënie seksuale.

Dosja e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com flet se gjashtë të dyshuarit brenda një dite dyshohet se kanë dhunuar e kanë kryer marrëdhënie seksuale me të miturën në motele të ndryshme.

Ngjarja pretendohet se ka ndodhur më 21 qershor të këtij viti ndërsa të dyshuarit, disa prej tyre kanë vendosur që të miturën ta prezantojnë me njëri-tjetrin dhe veprimet e dyshimta janë kryer që nga mëngjesi i hershëm.

Gjashtë persona janë arrestuar dje nga ana e policisë në lidhje me dyshimet për trafikim të së miturës e cila dyshohet se është dhunuar nga pesë persona të tjerë javën e kaluar.

Në total deri më tani janë 11 të arrestuar në lidhje me rastin e 11-vjeçares, në dy raste të ndara.

Dosja e dytë, për rastin e dhunimit dhe shërbimeve seksuale që dyshohet se ka ndodhur në qershor, flet për të arrestuarit me inicialet D. Rr., 23 vjeçar, G.S., 25 vjeçar, B.S., 26 vjeçar, F.S., 22 vjeçar, M.S., 22 vjeçar dhe M.R., 21 vjeçar.

Gjashtë të dyshuarit po dyshohen për trafikim me njerëz, shërbime seksuale dhe dhunim të 11-vjeçares.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se rasti i 11-vjeçares tashmë ka dy raste të cilat do të hetohen ndaras. Njëri rast i cili dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht, ku janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona për dhunimin që dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, dhe rasti tjetër që dyshohet se ka ndodhur më 21 qershor, ku tashmë janë arrestuar gjashtë persona.