Prokuroria e posaçme refuzon kërkesën e Sali Berishës për të shkuar në parlament
Në Shqipëri, Prokuroria e posaçme njoftoi të premten, se ka refuzuar kërkesën e ish kryeministrit Sali Berisha që ai të lejohet të marrë pjesë në seancat e parlamentit. Që prej fundit të muajit të shkuar zoti Berisha ndodhet në arrest shtëpie, pasi më herët ai refuzoi të zbatojë masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, duke e konsideruar atë se ishte në shkelje të kushtetutës.
Në vendimin e dy prokurorëve të çështjes, shjegohet se sipas Kodit të Procedurës penale “në kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi, vlejnë rregullat e paraburgimit”, e për pasojë “e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë dhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për Kuvendin, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në shtëpi”.
Prokurorët shpjegojnë po ashtu se në asnjë dispozitë ligjore nuk është parashikuar mundësia e dhënies së një leje të tillë e sipas tyre edhe në kërkesën e avokatit të zotit Berisha “nuk evidentohet asnjë dispozitë mbi të cilën të mbështetet kërkesa për dhënien e kësaj leje”.
Zoti Berisha është në hetim për procedurat e ndjekura në rastin e privatizimit të ish klubit sportiv Partizani. Ai dyshohet të ketë favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një nga ish pronarët e truallit, mbi të cilin më pas, lulëzoi një kompleks pallatesh.
Ndonëse në arrest shtëpie, çdo mbrëmje zoti Berisha, shfaqet në dritaret e apartamentit të tij, duke ju drejtuar grupeve të mbështetësve që grumbullohen pranë banesës në një nga zonat qendrore të Tiranës.
Ish kryeministri ka ankimuar vendimin e gjykatës për arrestin në shtëpi, dhe javën e ardhshme pritet të zhvillohet seanca në Gjykatën e Apelit, ndërkohë që po javën e ardhshme ai është thirrur për t’u marrë në pyetje nga prokurorët./VoA