Foto: Prokuroria e Pejës

Prokuroria e Pejës nis hetim për rastin që Vetëvendosje akuzon komunën për keqpërdorim të parasë publike

Disa ditë me parë Prokuroria e Pejës me vetiniciativë, ka hapur rast hetimi nën pretendimin për keqpërdorim të parasë publike në Komunën e Pejës.

Rasti është iniciuar pas një reagimi të Lëvizjes Vetëvendosje, qendra në Pejë.

Këta të fundit kanë shfaqur për publikun një kontratë të lidhur mes Komunës së Pejës dhe “BK CONSTRUCTION SHPK”, që sipas tyre, kjo kompani ka për pronar Besnik Muriqin, vëllai i Suzana Muriqit, drejtoreshë për Integrime dhe Diasporë në Komunën e Pejës.

Edhe kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, ka reaguar për këto akuza.

Sa i përket tenderit, Muhaxheri ka sqaruar se autoriteti kontraktues nga Komuna e Pejës ka hapur tenderin në sistemin e-Prokurimi në mënyrë transparente, ku sipas tij, projekti është ndarë në dy LOT-e, dhe të drejtë aplikimi kanë të gjithë operatorët ekonomik të cilët janë të regjistruar dhe që i posedojnë dokumentet përkatëse.

Ndërsa ka thënë se vëllai i drejtoreshës Muriqi, nuk është pronar në atë kompani.

Ndërsa dje Lëvizja ka ftuar përsëri Prokurorinë në Pejë që të hetojë një rast tjetër që sipas tyre përfshin konflikt interesi e mashtrim publik nga kryetari Muhaxheri.

“Derisa rasti është duke u hetuar nga Prokuroria, sot me datë 11.05.2021 është planifikuar nënshkrimi i një kontrate të re në vlerë 67,972.00 euro me të njëjtin person, vëllain e drejtoreshës. Në këtë projekt vëllai i drejtoreshës Suzana Muriqi, ka vendosur të bashkëpunojë me babain e inspektorit komunal Edison Maloku ose burrin e asamblistësh së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Drita Maloku, saktësisht me kompaninë “El-Ing” (pronar i së cilës është Xajë Maloku)”, kanë shkruar ata në faqen zyrtare të tyre.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoreshën Suzana Muriqi për rastin në fjalë.

Për KALLXO.com ajo tha se qëndron fakti se Besnik Muriqi bashkëpronari i kompanisë “BK CONSTRUCTION” është vëllai i saj, duke thënë se ajo kompani ka fituar disa tenderë nga Komuna e Pejës, por duke mohuar që kjo ndërlidhet me faktin se ajo është drejtoreshë në Komunën e Pejës.

“Duhet me e pa historikun prej kur ekziston kompania. Ajo kompani është para pushtetit të Gazmend Muhaxherit e para pozitës sime. Nëse kish qenë një ligj që familjarët e drejtorëve mos të punojnë për ekzistencë, ai ligj të vlejë për të gjithë”, tha Muriqi.

Sipas saj nuk kanë pasur asnjë privilegj në fitimin e këtyre tenderëve, duke shtuar se diku 3-4 tenderë i ka fituar kompania e vëllait të saj.

“Asnjëherë nuk kam shkuar të kryetari për me informu se ai është familjar imi, madje ai as nuk është në njohuri që janë familjarë të mi”, u përgjigj ajo.

Ajo tha se aplikimin vëllait të saj nuk mundet me e ndalu askush.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Kreshnik Muriqin i cili është bashkëpronar me Besnik Muriqin në firmën “BK CONSTRUCTION”.

Ai tha se fakti që motra e Besnikut është drejtoreshe në Komunën e Pejës, nuk ka pas ndikim në fitimin e tenderëve.

“Ka qenë çështje procedurale, është shkuar sipas çmimit me të ulët, nuk ka këtu të bëjë asgjë ajo çka po thoni”, tha Muriqi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe shefin e zyrës së prokurimit në Komunën e Pejës, Xhemë Berisha.

Berisha tha se për këtë tender kanë aplikuar 8 operatorë ekonomik, më i liri është shpallur fitues.

“Më i liri ka qenë. Për këtë proces nuk ka pas vërejtje prej asnjë operatori ekonomik, kontrata është nënshkruar”, shtoi shefi i prokurimit Berisha.

Ndërsa asambleistja Drita Maloku nuk ka qenë e qasshme deri në publikimin e këtij artikulli.

Më poshtë gjeni edhe fotografitë e kontratës dhe të dhënat për biznesin tjetër fitues të kontratës.