Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Prokuroria e Pejës jep detaje rreth automjetit me dinarë serbë që u ndalua dje

Policia e Kosovës ka ndaluar dje një automjet me të cilin po transportoheshin dinarë serbë.

Ndalimi i këtij automjeti është bërë në kuadër të zbatimit nga autoritetet të Rregullores së BQK-së, e cila që nga 1 shkurti e ndalon dinarin serb si monedhë për kryerjen e pagesave në Kosovë.

Sipas Rregullores, e vetmja monedhë e lejuar për kryerjen e transaksioneve të pagesave në Kosovë është euro.

Lidhur me ndalimin e automjetit me dinarë serbë dhe të dy personave që ishin në të ka reaguar ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.

Ai ka përsëritur kërkesën e SHBA-së drejtuar autoriteteve të Kosovës që zbatimi i Rregullores së BQK-së të shtyhet.

“Ne po ashtu jemi të shqetësuar nga aksionet e Policisë së Kosovës sot për të konfiskuar dinarin serb dhe automjetet që e transportonin atë për të shpërndarë pagesën e përfitimeve sociale nga Serbia. Ne presim që autoritetet e Kosovës të sigurojnë që personat për të cilët ishin këto pagesa t’i pranojnë pa vonesa” – shkroi mes tjerash Hovenier.

Ndërsa, lidhur me ndalimin e automjetit me dinarë serbë sqarime kanë dhënë nga Prokuroria e Pejës.

Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, ka thënë për KALLXO.com se të shtunën u ndalua një veturë me të cilën po transportohej një shumë e parave në monedha dinarë.

Nikçi tregon se dy persona u intervistuan për këtë çështje.

“Prokurori i Shtetit dje është informuar se me një automjet ka qenë duke u transportuar një shumë e konsiderueshme e monedhave dinarë dhe njëkohësisht për këtë çështje janë duke u intervistuar dy persona dhe të njëjtit pasi që janë intervistuar janë liruar në procedurë të rregullt. Për momentin janë të sekuestruara ato mjete dhe njëkohësisht automjeti derisa të bëhet verifikimi i tyre se a i kanë kaluar të gjitha procedurat ligjore në Republikën e Kosovës” – deklaroi Nikçi për KALLXO.com.