Autobusi i sulmuar me armë zjarri në Gllogjan më 26.11.2021 - Foto: KALLXO.com

Prokuroria e Pejës do të mbajë konferencë për media për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan

Prokuroria e Pejës ka njoftuar se nesër do të mbajë konferencë për media për rastin e vrasjes së trefishtë në Gllogjan të Deçanit.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

“Ftoheni të merrni pjesë në konferencën për media nga Prokuroria Themelore në Pejë, ku do shpalosen të gjetura e hetimit për njërën ndër vrasjet me tronditëse  të ndodhura në kompetencën territoriale të kësaj prokurorie”- ka njoftuar Nikçi.

Konferenca do të mbahet më 5 maj 2023  në ora 15:00 në objektin e Prokurorisë së Pejës.

Në orët e mbrëmjes të 26 nëntorit të vitit 2021, tre persona kishin mbetur të vdekur dhe një ishte plagosur nga sulmi me armë zjarri që kishte ndodhur mbi autobusin me udhëtarë në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Dy prej të vdekurve ishin nxënës, ndërsa personi i tretë ishte shoferi i autobusit.