Prokuroria e Mitrovicës thirrje qytetarëve të mos bien pre e personave që ua kërkojnë të dhënat bankare

Prokuroria e Mitrovicës u ka bërë thirrje qytetarëve sot, më 05.08.2024, që të mos u kthejnë përgjigje personave të paautorizuar të cilët përmes platformave të komunikimit kërkojnë të dhënat personale të kartelës së llogarive nëpër bankat vendore.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë, u bënë apel të gjithë qytetarëve, që te mos bien pre e mashtrimeve nëpër platforma të komunikimit, ku nga persona të paautorizuar u kërkohen të dhënat personale të kartelës së llogarive nëpër bankat vendore, dhe luteni që assesi të mos shpërndani këto të dhëna”- ka apeluar Prokuroria e Mitrovicës.

Në rast se kanë shpërndarë këto të dhëna personale, Prokuroria u bën thirrje qytetarëve që të lajmërohen në stacionin më të afërt policor.

“Njëkohësisht u bëjmë apel të gjithë qytetarëve që kanë pranuar kërkesa të tilla dhe atyre që kanë shpërndarë të dhënat e llogarive bankare dhe potencialisht janë dëmtuar, që të lajmërohen në stacionin më të afërt policor të vendbanimit tuaj për të dhënë deklaratë në cilësinë e të dëmtuarit/dëshmitarit”- thuhet tutje në njoftim.