Ilustrim

Prokuroria e Mitrovicës po mbledhë informacione për hyrjen e vaksinave anti-COVID në veri të Kosovës

Prokuroria e Mitrovicës ka njoftuar se informacioneve të pranuara dhe raporteve në media lidhur me futjen potenciale të vaksinave anti-COVID në pjesën veriore të Kosovës pa përfillur dispozitat e zbatueshme ligjore, në bashkëpunim të ngushtë me policinë, janë duke mbledhur informacione për të vlerësuar nëse vaksinat janë sjellë në Kosovë.

Sipas prokurorisë do të sigurohen nëse importimi i tyre është bërë në pajtim me protokollet përkatëse për mbrojtjen e shëndetit publik dhe kërkesat ligjore që rregullojnë këto çështje.

“Ne sigurojmë publikun se mbetemi syhapur në zbulimin, hetimin dhe ndjekjen e veprimeve të kundërligjshme që mund të rrezikojnë shëndetin dhe sigurinë publike, si dhe mbetemi të përkushtuar që të sigurojmë që askush të mos shfrytëzojë situatën e krijuar si rezultat i pandemisë gjatë kësaj kohe kritike “, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ardhja e vaksinave kundër COVID-19 në komunat serbe, sipas Qeverisë së Kosovës, është bërë përmes rrugëve ilegale pasi që nuk ka të dhëna se këto vaksina kanë ardhur përmes rrugës zyrtare.

Ka qenë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili ka njoftuar se qytetarët e veriut të Mitrovicës do të vaksinohen kundër COVID-19.

“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është për personat mbi moshën 75-vjeçare. T’i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, ka deklaruar Vuçiq.

Fillimisht Qeveria e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar për fillimin e vaksinimit për qytetarët serb në veri të Mitrovicës, ndërsa më vonë në një njoftim për media kanë treguar se nëse, këto vaksina kanë hyrë në Kosovës përmes rrugëve ilegale, atëherë institucionet e Kosovës do të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore ndaj personave të përfshirë në këtë aktivitet ilegal, kontrabandim me barëra.

“Përndryshe institucionet e Kosovës nuk kanë pasur asnjë komunikim zyrtar me institucionet e Serbisë lidhur me këtë çështje,  as të drejtpërdrejtë përmes Zyrave Ndërlidhëse  të të dyja vendeve e as me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të datës 26 dhjetor.

Në anën tjetër Kosova ende nuk është furnizuar me vaksina kundër COVID-19, edhe pse pritet që 20% e vaksinave të merren falas nga program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila do të shpërndajë vaksina për vendet e varfëra.

Ndërsa, pjesën tjetër të vaksinave do të blihen nga Ministria e Shëndetësisë. Përdorimi i vaksinës kundër COVID-19 pritet të fillojë të përdoret në Bashkimin Evropian më 27 dhjetor.

Prokuroria po mbledh informacione për ardhjen e vaksinës anti-COVID në komunat e veriut