ILUSTRIM

Prokuroria e Kosovës me memorandum për identifikimin e pasurisë të kundërligjshme jashtë shtetit

Prokuroria e Kosovës ka njoftuar se ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Institutin e Bazelit për Qeverisje, lidhur me gjurmimin dhe identifikimin e aseteve të fituara në mënyrë të kundërligjshme, të cilat gjenden në shtetet tjera, si dhe për kontributin në avancimin profesional dhe zhvillimin e programeve të trajnimit.

“Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe drejtoresha e Institutit të Bazelit për Qeverisje (IBQ), Gretta Fenner, si Partner Implementues i Projektit SAEK III të Zyrës së UNDP në Kosovë, kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit për mbështetjen e IBQ në kuadër të sistemit prokurorial për gjurmimin dhe identifikimin e aseteve të fituara në mënyrë të kundërligjshme, të cilat gjenden në shtetet tjera, si dhe për kontributin në avancimin profesional dhe zhvillimin e programeve të trajnimit”, thuhet në komunikatën për media.

Nënshkrimin e këtij memorandumi si dhe përfshirjen e IBQ-së për rritjen e aseteve te kthyera në shtetin e origjinës të cilat janë fituar në mënyrë të kundërligjshme, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi e ka konsideruar si hap të domosdoshëm.

Lumezi bashkëpunimin e ka cilësuar si forcim të sundimit të ligjit dhe avancim në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe konfiskimit të aseteve të përfituara në mënyrë të kundërligjshme.

“Përveç rritjes së bashkëpunimit më Institutin e Bazelit, ky memorandum do të ndikoj edhe në thëllimin e bashkëpunimit edhe me shtetet tjera të Bashkimit Evropian lidhur me ndihmën juridike, përkatësisht, identifikimin e pasurisë e cila gjendet në juridiksionin e shteteve tjera”, ka deklaruar kryeprokurori Lumezi.

Kurse drejtoresha e Institutit të Bazelit për Qeverisje (IBQ), Gretta Fenner ka theksuar se “rikthimi i aseteve është një proces kompleks që kërkon kohë, megjithatë ajo ka shtuar se ndikimi është i madh dhe i shumëfishtë  dhe se  bashkëpunimi jo vetëm që çon në rikthimin e pasurive, por gjithashtu parandalon korrupsionin, ul pandëshkueshmërinë dhe rrit besimin e publikut.