Foto: Ilustrim

Prokuroria e Gjilanit kërkon paraburgim për mjekun dhe dy të dyshuarit për sulm ndaj tij

Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar paraburgim për dy personat e dyshuar për lëndim trupor ndaj doktorit në Gjilan. Të njëjtën masë Prokuroria e ka kërkuar ndaj mjekut, i cili po dyshohet për veprën penale – trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar prokurorja e rastit Rozelida Manastiri.

“Për rastin në fjalë janë ndaluar dy persona për lëndim trupor dhe doktori është i ndaluar për trajtim të pandërgjegjshëm. Ne e kemi dorëzuar kërkesën për paraburgim dhe nesër pritet të mbahet seanca” – ka thënë ajo.

Në media është publikuar një audio-incizim, ku pretendohet se logopedi fyen dhe i bërtet një fëmije – vajzë.

Ndërsa, në video-incizimin e publikuar në media shihet se si dy persona e sulmojnë një person tjetër në një lokal, në Gjilan. Sulmuesit pretendohet se janë prindi dhe daja i vajzës, kurse i sulmuari logopedi.

Gjatë ditës së djeshme Policia ka njoftuar se është arrestuar doktori në fjalë.

Por, sipas Policisë së Kosovës, janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, pasi që dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht mjekun, të cilit i kanë shkaktuar lëndime.