Prokuroria e Gjilanit
Prokuroria e Gjilanit kërkon paraburgim ndaj dy të dyshuarve për tregti të ndaluar, falsifikim parash e falsifikim të dokumenteve
Prokuroria e Gjilanit, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata e Gjilanit caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve L.F. dhe H.I. në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas një komunikatë për media, të lëshuar të enjten, më 10.10.2024, të pandehurit L.F., të mërkurën, më 09.10.2024, në komunën e Kamenicës, në veturën e tij, i janë gjetur 14 paketime, me 700 “boksa” cigare të llojit “Winston”, pa dokumente apo faturë mbi prejardhjen e mallit.
Sipas Prokurorisë, vlera e mallit të gjetur është 14 mijë e 700 euro, të cilat ka pasur për qëllim që përmes rrugëve ilegale t’i dërgonte në Serbi.
“Me këto veprime dyshohet për veprën penale ‘’Tregtia e ndaluar’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”- thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Gjilanit.
Po ashtu, Prokuroria thotë se L.A. dyshohet edhe për veprën penale – falsifikim i dokumentit, pasi që ka përdorur pasaportë të falsifikuar.
Ndërsa i pandehuri i dytë H.I., sipas Prokurorisë së Gjilanit, dyshohet për veprën penale – shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore, pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij thuhet se janë gjetur paketime të ndryshme të cigareve, pa dokumentacion përcjellës për prejardhjen e mallit.
“Gjithashtu, i pandehuri H.I., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka vënë në qarkullim para të falsifikuara, ashtu që tek i njëjti janë gjetur edhe monedha metalike nga 2 euro, në vlerë të përgjithshme 640 euro”- thotë komunikata e Prokurorisë.
Me këto veprime dyshohet se i pandehuri H.I. ka kryer veprën penale – falsifikim i parasë.
Tutje, njoftohet se me urdhër të prokurorit, dy të pandehurit tashmë gjenden nën masën e ndalimit prej 48 orësh.